
KAVAJË- Halit Ullorja ka rënë në prangat e Policisë së Kavajës këtë të dielë pasi bashkë me të vëllain kanë tentuar të vrasin 25-vjeçarin Letjan Lushkajn. Ngjarja është regjistruar një natë më pare. Raportohet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, por më pas dy vëllezërit kanë rrahur dhe më pas kanë goditur me makinë Lushkajn. Blutë e Kavajës bëjnë me dije se në pranga ka rënë dhe i plagosuri, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Vijon puna për kapjen e 26-vjeçarit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kavajë. Pas një konflikti për motive të dobëta, tentuan të vrisnin një 25-vjeçar, duke e dhunuar goditur me automjet, arrestohet 30-vjeçari dhe punohet për kapjen e vëllait të tij që braktisi automjetin menjëherë pas konfliktit. Në pranga dhe 25-vjeçari, sepse rezultoi se drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur. Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë pas njoftimit të marrë për një konflikt ndërmjet 3 shtetasve, në lagjen nr. 2, kanë shkuar menjëherë në zonë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasin/it përgjegjës.
Falë ndërhyrjes në kohë shërbimet e Policisë parandaluan përshkallëzimin e konfliktit dhe arrestuan në flagrancë shtetasin H. U., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim vëllanë e tij, shtetasin G. U., 26 vjeç, të dy banues në Kavajë, sepse dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin shtetasin L. L., 25 vjeç, duke e dhunuar fizikisht atë dhe duke goditur me automjet, automjetin që drejtonte ky shtetas. Në vijim të veprimeve procedurale specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë dhe 25-vjeçarin pasi nga verifikimet rezultoi se e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.
Vijon puna për kapjen e 26-vjeçarit që braktisi automjetin, sapo goditi me të, automjetin e shtetasit L. L.. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./ZËRI