
DURRËS- Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me vrasjen e Pëllumb Metës, nga tre fëmijët e tij në Durrës. Raportohet se Hygerta Meta, vajza e 50-vjeçarit ka ndryshuar versionin e saj të historisë në një dëshmi të dytë të dhënë para hetuesve. Sipas Policisë, vajza ka treguar se bashkë me nënën, Blerina Meta kanë pastruar gjakun e lënë pas nga vrasja e Pëllumb Metës nga djali i madh Hysen Meta. Vajza shprehet se kur e ëmë ka ardhur në shtëpi, është tronditur nga ajo që ka parë dhe më pas, bashkë me të kanë pastruar gjakun në dysheme ndërsa divanin ku u qëlluan Pëllumb Meta e kanë ngjitur në katin e dytë. Ndërsa me groposjen e trupit në kasollën e bagëtive janë marrë dy vëllezërit, Hysen dhe Amarildo Meta.
“Kur mami u thye në shtëpi u trondit nga ajo që kishim bërë. Të dyja qëndruam në shtëpi dhe pastruam vendin dhe divanin nga gjaku, aty ku vëllai qëlloi babi. Ne e ngjitëm divanin në kat të dyte, ndërsa dy vëllezërit u morën me groposjen e trupit”.
Dëshmia e 19-vjeçares rrëzon poshtë version e dhënë më herët, se nëna nuk kishte dijeni për krimin dhe se kur ka ardhur në shtëpi nuk ka dyshuar për mungesën e Metës në shtëpi. Fëmijët në version e parë të dhënë kanë shfajsuar nënën, Blerina Metën nga përgjegjësia mbi krimin dhe pse Policia po e heton në gjendje të lirë për “Pengim në zbardhjen e së vërtetës”. Blerina Meta ndodhet tek të afermit e saj pasi dhe vetë ka deklaruar se ndihet e kërcënuar nga njerëzi e burrit dhe ka kërkuar mbrojtje.
Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e plotë të vrasjes së Pëllumb Metës ka pyetur dhe familjen me të cilën dyshohet se viktima do të lidhte krushqi, duke dhënë vajzën e tij Hygertën, e cila studionte në Fakultetin e Ekonomisë për djalin e E.Q. Por kjo e fundit ka deklaruar se Pëllumb Meta nuk ka qenë dakort pasi u ka thënë se vajza po ndjek studimet.
Më herët Hygerta Meta, pasi kishte pranuar se ishte ajo që kishte vrarë babain, u tha hetuesve se e kreu krimin pasi i ati donte ta fejonte pa dëshirën e saj me një djalë që jetonte në Itali. Por më pas rrjedha e historisë ndryshoi dhe doli në dritë se vrasja ishte kryer nga vëllai i madh Hyseni. Por e vetmja që që deri më tani nuk ka ndryshuar në versionin e dhënë nga tre fëmijët dhe nëna është fakti se vrasja ka ndodhur pasi Pëllumb Meta donte të fejonte vajzën.
Por dhe kjo pistë me dëshminë e dhënë nga familja e djalit bie poshtë, pasi ata kanë deklaruar në polici se Meta nuk ishte dakort. 50-vjeçari u vra me katër plumba brenda në banesës ndërsa më pas u zhvesh dhe u mbështoll me plastmas dhe më pas u gropos nga djemtë në kasollën e bagëtive. Ngjarja është regjistruar më 10 shkurt ndërsa trupi i Pëllumb Metës u gjet i groposur më 23 shkurt. Tre fëmijët do të dalin ditën e hënë para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë./ZËRI