
TIRANË- Lirohet reperi Ervin Selita i njohur me pseudonimin ‘Vinz’. Dalja e tij nga qelia ka ndodhur në muajin korrik pasi tentoi të vrasë pronarin e një hoteli në Tiranë një vit më parë, më 3 shkurt 2022. Vendimi për të është marrë që në korrik, madje dhe ka nisur me koncertet përgjatë sezonit veror.
"Në përfundim të gjykimit, më datë 17.07.2023, Gjykata e Apelit, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar Dritan Hasani dhe anëtar Emona Muçi dhe Genti Shala, vendosi që Selita të mbajë kontakte me shërbim prove nëse nuk mbahet për shkaqe të tjera të ligjshme,"-shkruhet në njoftimin zyrtar.
Reperi shqiptar u vendos në pranga pasi tentoi që të vriste pronarin e një hoteli në Tiranë, i identifikuar si Zeni Xhindi, pasi recepsionisti i hotelit nuk e la të dashurën e tij të futej në dhomë pa një kartë identiteti. Në këtë moment nisi debati, në të cilin u përfshi edhe pronari i hotelit, Xhindi. 30-vjeçari nxorri armën për ta qëlluar, por ndërhyri Policia që i vendosi prangat në flagrancë. Bashkë me reperin, në pranga përfundoi edhe e dashura e tij.
Vinz, është një emër jo pak i njohur jo vetëm për muzikën e tij, ku bashkëpunimet më të mëdha i ka me "Stealth", por edhe si pjesëtar i bandës 'Hellbanianz' me bazë në Londër. Grup kriminal që ka marrë frerët e tregëtimit të kokainës në kryeqytetin britanik dhe jo vetëm./Zëri.ai