
SARANDË- Një borxh që nuk u kthye, angazhoi 4 persona për të marrë peng Kelmendi Dolanakun në Sarandë. Plani ishte thurur prej kohës por është finalizuar mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetare. Juljan e Sandri Brinja, Gjergji Prenga dhe Angelos Tsimperis ishin nisur me një mjet tip "BMW" për të rrëmbyer Dolanakun me origjinë Lushnja, por rruga u është 'prerë' nga Policia e Shtetit.
Uniformat blu të Sarandës kishin marrë informacione lidhur me planin që do të finalizohej në lagjen nr.3 të qytetit, ndaj edhe i ndaluan 4 të rinjtë për kontroll. Në mjetin e tyre gjetën armë zjarri të fshehur në kroskotin e makinës, municione por edhe lidhëse plastike që do përdornin për të 49-vjeçarin nga Lushnja. Atyre u është gjetur armë zjarri dhe municion luftarak. Policia ka ndaluar mjetin BMV me të cilin ata udhëtonin, dhe aty ka gjetur edhe lidhëset plastike që dyshohet se do të përdoreshin për pengmarrjen.
"Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale, falë inteligjencës policore dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë. Të armatosur me armë zjarri pistoletë, me qëllim rrëmbimin e një 49-vjeçari, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjeti dhe lidhëse plastike që do të përdoreshin për këtë ngjarje. Falë inteligjencës policore dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura së fundi dhe për të parandaluar ngjarje të tjera të mundshme kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, duke vlerësuar edhe informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Ditën e djeshme, në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas adiministrimit të informacionit, kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar automjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjerë shtetasit J. B. dhe S. B. (vëllezër) dhe Gj. P. Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit ku qëndronte shtetasi J. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit J. B., 28 vjeç, S. B., 27 vjeç, A. T., 20 vjeç dhe Gj. P., 29 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”. Këta shtetas dyshohet se në kërcënimin e armës do të rrëmbenin një shtetas 49 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme."
Ngjarja u parandalua nga policia, që ndaloi makinën tip “BMW” në lagjen numër 1 të Sarandës, ndërsa 4 të rinjtë janë vendosur në pranga, pasi mbi ta rëndojën veprat penale: “heqja e paligjshme e lirisë” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”. Të katër do të merren në pyetje për të mësuar të gjithë dinamikën e ngjarjes, ndërkohë që pritet edhe një version nga Dolanaku./ZËRI