
TIRANË- Është tensionuar situata përpara Bashkisë së Tiranës, gjatë protestës së organizuar nga mbështetës të Partisë Demokratike.
Qytetarët kanë hedhur tymuese dhe kanë tentuar të futen brenda, ndërsa dhjetra efektivë të rendit dhe asaj bashkiake janë bërë 'gardh' përpara godinës së Bashkisë.
Pjesë e protestës së thirrur sot, kanë qenë edhe deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të këshillit bashkiakë, por edhe aktivistë dhe qytetarë.
Aktori i madh Mehdi Malkaj, pjesëmarrës në protestën e sotme ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiuat Veliaj, ironizoi qeverinë, e cila sipas tij po fshin këpucët në kurrizin e popullit dhe ky i fundit nuk po bën rezistencë.
“Këpucët e qelbura i fshin në kurriz të këtij populli, dhe thotë tjetri 'ishte udhëheqësi im', nuk ka rëndësi. Kërkoj një gjë. E kërkoj me këmbëngulje, të heqim dorë nga njëshi. Njëshin e kemi zgjedhur për të na shërbyer neve, jo për të na masakruar neve.
Njëshi është shërbëtor i jonë. Bëri një iftar atje dhe i vaftë mbarë, u gëzuan të gjithë ata që e duan. Ai është shumë i mirë sepse ju dha bukë për të ngrënë , është turp i madh jemi akoma te buka. Jemi te monologu bukës.
Zonja dhe zotërinj unë kaq kam mundësi të bëj, bëj maksimalen e jetës time bashkë me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, kemi 7 vjet që nuk lëvizim. Ju falenderoj shumë për dashurinë që më falni. Jam i zhytur në borxhe tek ju, por nuk jua laj dot”, u shpreh Malkaj.
Sot mbështetësit e opozitës, kanë protestuar për herë të dytë përpara Bashkisë së Tiranë, ku kërkojnë llogari pas arrestimit të 5 drejtorëve dhe ish-drejtorëvve të Erion Veliajt. Këshilltarët demokratë kërkojnë që të hyjnë brenda bashkisë por janë penguar nga policia e rendit dhe ajo bashkiake./ZËRI