VLORË- Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish për tensionet e regjistruara në kantierin e Aeroportit të Vlorës të regjistruara edhe sot për të 3-tën ditë radhazi.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Pacolli i kërkuar qeverisë shqiptare të japë miratimin për fillimin pa vonesë të një auditimi të plotë tekniko-financiar për projektin e VIA-s.
Pocolli thote se dy ditë më parë, përfaqësues të kompanive të përfshira në projekt janë takuar në Tiranë me përfaqësues të Avokaturës së Shtetit, ku është rikthyer kërkesa për kryerjen e një auditi profesional të veprës. Ai thekson se që prej tetorit të vitit 2025 janë dërguar dhjetëra shkresa në institucionet përkatëse, pa marrë ende një përgjigje apo pa u ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e auditimit të kërkuar.
Sipas Pacollit, ky proces duhet të garantojë që të gjitha fondet e investuara kanë prejardhje të ligjshme dhe të verifikueshme, ndërsa në përfundim shton se pala e tij mbetet e përkushtuar ndaj transparencës.
Postimi i plotë i Pacollit:
PËR HIR TË TRANSPARENCËS!
Dje me daten 22/06/2026, ne Tiranë kishte një takim në mes të perfaqësuesve ligjor të MABCOS nga Tirana Washingtoni, Londra, Zuerichu dhe Lugano si dhe përfaqësuesve të Avokaturës së shtetit të të Republikës së Shqiperisë.
Mabco, në këtë takim kërkoj edhe njëherë nevojën e një auditimi profesional të veprës.
Që nga tetori i vitit 2025, MABCO i është drejtuar me mbi 50 shkresa institucioneve gjegjësishtë avokatit të shtetit dhe palëve përkatëse, duke kërkuar zhvillimin e një AUDITIMI profesional TEKNIKO-FINANCIAR të projektit VIA, nga një kompani ndërkombëtare e pavarur dhe e certifikuar për projekte të kësaj natyre.
Deri më sot, këtyre kërkesave nuk u është dhënë përgjigje dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për mundësimin e këtij auditimi.
Si aksioneri kryesor i konsorciumit dhe në përmbushje të përgjegjësive të tij ligjore e kontraktuale, MABCO i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të japë miratimin e nevojshëm për fillimin pa vonesë të një auditimi të plotë dhe të pavarur tekniko-financiar.
Ky auditim duhet të mundësojë verifikimin e plotë të projektit, si në aspektin TEKNIK, për të konfirmuar zbatimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë në ndërtimin e aeroportit, ashtu edhe në aspektin FINANCIAR, duke përfshirë ndër të tjera:
• investimet e kryera nga secili ortak;
• burimin dhe ligjshmërinë e fondeve të investuara;
• dokumentacionin dhe lëvizjet bankare përkatëse;
• kontratat dhe dokumentacionin mbështetës të tyre;
• pagesat tatimore dhe të TVSH-së;
• kontratat e furnizimit, transportit dhe procedurat doganore;
Auditimi duhet të konfirmojë se të gjitha fondet e investuara kanë prejardhje të ligjshme, më deshmi bankare të identifikueshme dhe të verifikueshme, si dhe të përjashtojë çdo dyshim ose indicie të mundshme për përdorimin e fondeve me burim të paligjshëm, përfshirë fonde që mund të lidhen me aktivitete kriminale, pastrim parash ose trafikim të lëndëve narkotike.
MABCO mbetet e përkushtuar ndaj transparencës së plotë, sundimit të ligjit dhe zgjidhjes së çdo mosmarrëveshjeje përmes procedurave ligjore dhe standardeve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
Behgjet Pacolli
Edhe këtë të mërkurë janë regjistruar tensione dhe përplasje të tjera në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vijuar punimet.
Përfaqësues të kompanisë 2A Group kanë bllokuar hyrjet dhe punimet brenda aeroportit, ndërsa përfaqësues të MABCO kanë bllokuar hyrjen kryesore të kantierit.Kamionët e kompanisë 2A Group, në pronësi të Valon Ademit, prej ditës së djeshme (23 qershor) mbajnë të bllokuara hyrjet në kantier. /ZËRI
