TIRANË- Situata jashtë Kuvendit është përshkallëzuar pas përfundimit të seancës plenare, teksa një pjesë e deputetëve kanë mbetur brenda godinës për shkak të protestës që vijon jashtë Parlamentit.
Përballë tensioneve, Policia ka nisur ndërhyrjen për të liruar gradualisht rrugën dhe për të krijuar një hapësirë të sigurt për largimin e deputetëve. Në terren janë angazhuar forca të pajisura me skafandra dhe mburoja, ndërsa në gatishmëri janë edhe automjetet e ujit.
Efektivët u kanë bërë thirrje protestuesve që të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë qarkullimin apo lëvizjen në drejtim të godinës së Kuvendit. Pas thirrjeve, forcat e rendit kanë avancuar duke shtyrë kordonin e protestuesve dhe duke zgjeruar hapësirën mes tyre dhe Parlamentit.
Ndërhyrja e Policisë vjen pas disa incidenteve të regjistruara gjatë largimit të deputetëve, ku automjetet e tyre janë qëlluar me vezë dhe shishe uji nga protestuesit.
Ndërkohë, një pjesë e deputetëve vijojnë të qëndrojnë brenda ambienteve të Kuvendit, në pritje të krijimit të një korridori të sigurt për të dalë nga godina. Situata vijon të monitorohet nga forcat e rendit, ndërsa protestuesit mbeten të grumbulluar në zonën përreth Parlamentit./ZËRI