
TIRANË- Pas largimit të sforcuar të tij nga drejtimi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e gjen veten në telashe të reja, tashmë në rrethin e Prokurorisë së Posaçme, pasi është në mesin e personave të dyshuar që mund të kenë dekonspiruar aksionin për arrestimin e vëllezërve Çopja në Elbasan.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se Rrumbullaku është marrë në pyetje nga ana e Prokurorisë së Posaçme, pas hetimeve që janë hapur për dekonspirimin e aksionit që do të çonte në kapjen e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të dyshuar për një sërë vrasjesh të ndodhura në 10 vitet e fundit. Rrumbullaku nuk është personi i vetëm në radhët e policisë, të cilët SPAK i ka vendosur në rreth të kuq.
Përveç tij, burimet bëjnë me dije se SPAK ka marrë në pyetje dhe i ka sekuestruar telefonin dhe drejtorit të policisë së Elbasanit, Ilir Proda, i cili disa ditë më parë dorëzoi dhe kandidimin e tij për postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Veç Rrumbullakut dhe Prodës, SPAK ka marrë në pyetje po ashtu dhe shefin e Operacionales, Vilson Bala, drejtorin e departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, si edhe Edmond Rizai, që drejton sot Drejtorinë e Hetimit në Policinë e Shtetit. Po ashtu pjesë e të dyshuarve janë edhe agjentë të BKH-së, të cilët kryejnë një pjesë të hetimeve për llogari të Prokurorisë së Posaçme.
Muhamet Rrumbullaku u largua nga drejtimi i policisë së shtetit pak ditë më parë, ndërsa lëvizja e tij u justifikua me ndryshimet ligjore, që kërkojnë që drejtuesi i ri të zgjidhet me konkurs. Deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, në krye të Policisë së Shtetit u komandua nëndrejtori Sokol Bizhga.
Për çfarë akuzohen vëllezërit Çopja
Franc dhe Hajdar Çopja kërkohen nga SPAK për një sërë atentatesh, pas operacionit ‘Plumbi i artë 2’ që u zhvillua dhe u lëshuan 33 urdhërarreste.
Operacioni i zhvilluar zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat. Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit.
Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete. Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare. Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja i prangosur në Dubai. Në total janë lëshuar 33 masa sigurie, por janë ekzekutuar vetëm 15./ZËRI