
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor lidhur me nje operacion për kapjen e vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja në Elbasan. SPAK dyshon se drejtues së Policisë së Shtetit mund të kenë nxjerrë sekretin hetimor përpara se vendimi i gjykatës t’i vihej në ekzekutim, ndaj ka sekuestruar edhe telefonin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda. Bashkë metë janë vendosur në "sitë" edhe 10 agjentë të Policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Por sekuestrimi i telefonit nga SPAK mund të bëhet pengesë për ambicien e Prodës për t'u rritur në detyrë, pasi vetëm pak ditë më parë dorëzoi "CV" dhe planin e tij të punës për t'u bërë kryepolic. Ai ka aplikuar në garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut.
Deri më tani, Proda nuk ishte akuzuar kurrë. Madje në mars 2024 i ishte nënshtruar edhe procesit të Vettigut të ushtruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policiore. Më datë 8 mars 2024, trupa e vlerësimit gjykoi se Proda ka plotësuar tre kushte: nivel i besueshëm në vlerësimin e pasurisë; nivel i besueshëm në vlerësimin e kontrollin e figurës; nivel i mjaftueshëm në vlerësimin e aftësive profesionale.
Ende nuk dihet nëse fakti që është nën hetim nga SPAK e pengon në vazhdimin e kandidimit, por një gjë është e sigurtë; nuk e ndihmon aspak! Megjithatë mbetet për t'u parë në ditët në vijim nëse emri i tij do të skualifikohet nga gara për drejtues të Policisë së Shtetit./ZËRI