
FIER- Zbardhet ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme në Fier, ku u qëllua me armë zjarri drejt berberhanes së një 33-vjeçari. Policia ka vënë në pranga njërin prej autorëve, Nikola Muçi (Mahmutaj), ndërkohë që mbetet ende në kërkim Geraldo Hoxhaj (Mahmutaj).
Burime bëjnë me dije për Zërin se të shtënat me armë kanë ndodhur pasui autorët kanë pasur konflikt me në prej klientëve të berberhanes. Fatmirësisht si pasojë e të shtënave nuk pati persona të lënduar.
NJOFTIMI I POLICISË:
Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në Fermë Çlirim, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të berberhanes së shtetasit B. K.
Arrestohet në flagrancë njëri prej autorëve të dyshuar, punohet për kapjen e tjetrit.
Sekuestrohet automjeti me të cilën u larguan autorët, pasi qëlluan me armë zjarri, për motive të dobëta.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Fermë Çlirim, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të berberhanes së shtetasit B. K., 33 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje, shtetasin N. M. (M), 22 vjeç dhe po punojnë për kapjen e shtetasit G. H.(M)., 33 vjeç, banues në Fermë Çlirim.
Këta shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, ndodhur kohë më parë, me shtetasin E. K., 30 vjeç, klient në berberhanen e shtetasit B. K., kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të këtij dyqani dhe më pas janë larguar me automjetin tip "ML", i cili u gjet i braktisur në fshatin Baltëz.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për kapjen e shtetasit G. H.(M). dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak".
/ZËRI