
SHKODËR- Jaser Osmani është plagosur me armë zjarri, pasditen e sotme në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur afër shkollës "Salo Halili". 24-vjeçari mësohet se është përplasur me një person tjetër fillimisht verbalisht, e më pas, tjetri ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar. Për fatin e mirë, plumbi 24-vjeçarin e ka kapur në pjesën e kofshës, ndaj është jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë është dërguar me urgjencë në spital ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje nga mjekët.
PAMJE NGA VENDI I NGJARJES:
“Rreth orës 16:00, në lagjen Salo Halili, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit është plagosur në kofshë me armë zjarri pistoletë shtetasi J. O., 24 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorit”, njofton policia.
Shkak i ngjarjes mësohet të jetë një konflikt i çastit, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit Gentian Mithi, i cili është një 46-vjeçar, banues në Shkodër. Por ende nuk dihet identiteti i tij.
"Falë veprimeve të shpejta në vendngjarje, grupi hetimor ka identifikuar autorin e dyshuar, shtetasin G. M., 46 vjeç, banues në Shkodër. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e 46-vjeçarit,"-shton Policia.
Megjithatë Policia po i vijon kontrollet për kapjen e tij./ZËRI