
TIRANË- Sasia prej mbi 1 milion eurosh cash që u sekuestrua nga efektivët e Policisë gjatë zhvillimit të operacionit që goditi vëllezërit Çopja, është gjetur në banesën e Hajdar Çopjas, të njohur ndryshe si Hajdar Bako. Gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews se shuma e eurove është groposur në oborrin e shtëpisë së Bakos.

E gjithë sasia monetare që i përket valutave të ndryshme është mbyllur në një llogari bankare që aktualisht administrohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ndërkohë prokurorët e SPAK që hetojnë procedimin Nr.75, pretendojnë se përmes bisedave të “SKY” ata kanë zbardhur dhe linjën e transferimit të parave nga disa shtete të huaja drejt shqipërisë.
Një gjë e tillë është kryer përmes një pike të këmbimit valuator (Exchange), që administrohet nga Maklen Mici dhe Bashkim Lika, të dy të vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Kjo pikë e këmbimit valuator që prej 13 shtatorit 2007 ndodhet në rrugën “4 shkurti” përballë Bankës së Shqipërisë në Tiranë.
60 për qind të aksioneve i zotëron Bashkim Lika dhe 40 për qind, Maklen Mici.
Dyshja gjithashtu, në 24 Mars 2023 kanë hapur një kompani ndërtimi të qujtur “B&M CONSTRUCTION”. Mici rezulton se zotëron dhe një gjelltore në rrugën “Myslym Shyri”.
Siç thuhet edhe në njoftimin e SPAK, vëllezërit Çopja pastronin paratë përmes blerjes së pronave dhe hapjes së biznesve në kryeqytet.
“…evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit…”-thuhet në njoftimin e prokurorisë së posaçme SPAK.
Operacioni i zhvilluar zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat.
-
Fundi i perandorisë së vëllezërve Çopja
2 Gusht, 20:48
Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit. Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete. Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare.
Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja i prangosur në Dubai. Në total janë lëshuar 33 masa sigurie, por janë ekzekutuar vetëm 15.