Aktualitet

Letra e shefit të Peqinit: Të burgosurit me shërbëtorë, frigoriferë e furra, me kondicionerë e muzikë

I kishin të gjitha përveç lirisë! Dhomat e tyre i kishin shndërruar në të paprekshme, e madje kishin edhe shërbëtorë që ua lanin

E.K
Letra e shefit të Peqinit: Të burgosurit me shërbëtorë,
Burgu i Peqinit

PEQIN- Të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë në Peqin jetonin në kushte që do t’i kishin zili edhe ata që shijojnë lirinë jashtë mureve të këtyre institucioneve. Në një letër të drejtorit të burgut, Kamber Hoxha, e cila është bërë publike, tregohet se disa prej të dënuarve, kryesisht ata me burg përjetë, u është lejuar investimi në dhomat e tyre duke i bërë këto të fundit thuajse të privatizuara.

Me këtë nënkuptohet dhe futja e një sërë pajisjeve nga jashtë, të cilat e bëjnë më të vështirë kontrollin e sendeve të paligjshme, siç ishte dhe arma në rastin e Sokol Mjacajt, me të cilën vrau Arben Lleshin.

Po ashtu në letrën e Kamber Hoxhës thuhej se të burgosurit kanë shndërruar ambientet e përbashkëta si klasa këshillimi në “palestra personale” që nuk mund të aksesohen nga të gjithë. Ndërsa shumë të burgosur të tjerë përdoren për të pastruar qelitë apo për detyra të tjera të rëndomta, duke u shndërruar në shërbëtorë të të fortëve.

Më tej, shkruhet se dhomat e takimeve të veçanta janë ri konstruktuar duke shtuar krevate e kondicionerë, ndërsa në dhomat e të burgosurve ka pajisje si furra, frigoriferë të mëdhenj, por edhe bokse muzike.

“Të burgosurve u është lejuar investimi në dhoma, rikonstruktim, thuajse tashmë të privatizuara. Ndërhyrja në dhoma ka kufizuar shumë mundësinë e kontrolleve për elemente sigurie dhe sende të ndaluara. T’u kërkosh të marrin të burgosur në dhoma ka qenë thuajse e pamundur. Dushet, klasa, e dhoma të tjera të përbashkëta kanë humbur destinimin e tyre ku janë shndërruar në palestra të personalizuara dhe nuk aksesohen nga të gjithë. Në dhomat e takimeve të veçanta janë bërë ndërhyrje dhe këto dhoma janë të personalizuara. Ka kondicionerë, krevate, etj. U janë lejuar frigoriferë, furra pjekjeje, aksesorë muzike, bokse muzike me përmasa të mëdha, duke rënë ndesh me ligjin”, thuhej në letrën e bërë publike gjatë ditës së djeshme.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB