
TIRANË- Aministia penale, është kthyer në mollën e sherrit të radhës mes forcave politike, ndërsa projektligji zvarritet që prej afro 3 muajsh në korridoret e Kuvendit. Kur u duk se gjithçka kishte marrë rrugën e duhur, dhe projektligji kaloi dje në Komisionin e Ligjeve, një manovër e socialistëve, duket se do të minojë sërish procesin.
Çfarë ndodhi?
Deputetët e PS-së dhe ata të Lulzim Bashës ranë dakord që të bashkonin votat të enjten, në mënyrë që amnistia të kalonte në Kuvend. Si kusht Enkelejd Alibeaj kishte vendosur përfshirjen në këtë aministi të të gjithë protestuesve që janë arrestuar dhe përballur me ligjin nga radhët e Partisë Demokratike, kur ajo drejtohej nga Lulzim Basha.
Në kohën kur projektligji ishte në fazën finale, deputeti i Rithemelimit Blendion Nallbati, paraqet një amandament, i cili sipas tij synonte garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra, duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet. Duke qenë se vetë Nallbati, nuk ishte i pranishëm në komision për të mbrojtur propozimin e tij, deputetët e PS-së, i bashkëngjitën këtij amendimi dhe një paragraf për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 të projektligjit, që në thelb parashikonte se edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg.
Deklarata e Lulzim Bashës
Menjëherë pas njohjes me këtë projektligj, Lulzim Basha dhe deputetët e tij dolën në një deklaratë për mediat, ku thanë se nuk do të ishin ta pranishëm në seancën e ditës së nesërme, pasi në asnjë rast nuk janë pro amnistisë për personat e dënuar nga GJKKO. Edhe pse ishte arritur dakordësia në parim me PS-në për kalimin e amnistisë, Basha tha se pa hequr kjo pikë e amandamentit, ai nuk do të jepte votën pro.
Sqarimi i Nallbatit
Fill pas deklaratës së Lulzim Bashës, që në mënyrë indirekte fajësonte Rithemelimin për aministinë për personat e dënuar nga GJKKO, deputeti Bledion Nallbati nga Kryesia e Kuvendit bëri një sqarim publik. Ai tha se pika 2 e nenit 5 të projektligjit, nuk ishte një propozim i tij, por i deputetit socialist Plarent Ndreca.
"Në projektligjin për Amnistinë, ndryshe nga sa ka dezinformuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Amendamenti që kam dorëzuar synon në thelb garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra, apo kategorisë së veprave penale, duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet.
Amendamenti që përflitet për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 është një propozim apo ndryshim i bërë nga relatori i PS z. Plarent Ndreca. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD nuk ka votuar pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve.
Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim, çdo tentativë e mazhorancës duke dezinformuar edhe median është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qellim të përfshijë shtresat që kanë nevojë por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar", u shpreh Nallbati.
Reagimi i socialistëve
Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, ministri Ulsi Manja do të shprehej i keqardhur për qëndrimet e opozitës, por nuk dha sqarime se si u bashkëngjit kërkesa e Ndrecës në amandamentin e Nallbanit. Ai tha se qeveria e kishte përjashtuar përfshirjen në amnisti të të dënurave nga GJKKO, por me kërkesë të Komisionit të Ligjeve, u miratua, për vepra të lehta penale apo kundravajtje.
“Një nga parimet kryesore që ka amnistia është parimi i humanizimit dhe eficencës së sistemit të drejtësisë. Ka një kategori që përfitojnë nga amnistia dhe një kategori që nuk përfitojnë. Ne kemi ndjekur traditën e të gjitha amnistive që u zbresim një vit burrave dhe një vit e gjysmë grave.
Ky ka qenë drafti që qeveria ka adresuar në Komisionin e Ligjeve, por në këtë komision ka pasur amendamente nga shumë deputetë dhe një nga propozimet ka qenë se nga kategoria e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia, por përfitojnë ulje dënimi, të përfshihen dhe të dënuar nga Gjykata e Posaçme, me vendim të formës së prerë. Argument i Komisionit ka qenë se nëpër këtij rregulli të përgjithshëm dhe parimi kushtetues, të sigurohet neni 18 pika 1 e kushtetues, barazia para ligjit.
Sepse i njëjti i dënuar, i dënuar me të njëjtën vepër penale, me të njëjtën masë dënimi nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm i ulet një vit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë dhe të miturit, ndërsa të dënuarit nga GJKKO nuk i ulet dënimi. Më lejoni të them, amnistia lidhet me dënimin dhe veprat dhe nuk lidhet kompetenca e gjykatës me të cilën është dënuar personi.
Megjithatë, me variantin e qeverisë ne e kishim përjashtuar këtë kategori të dënuarish nga ulja e dënimit, ama ekspertiza e Komisionit të Ligjeve, ne dhamë dakordësinë për këtë amendament. Por kjo nuk do të thotë se ne jemi refraktar në këtë drejtim sepse qëndrimi ynë ka qenë i qartë. Ajo që dua të them është se nuk ka amnisti nga çështjet dhe lënda që është aktualisht në duart e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, me përjashtim të disa veprave të lehta që janë kundërvajtje penale.
Nga dje, ka patur konfuzion dhe mesazhe jo të duhura që janë përcjellë me ligjin për amnistinë penale”, tha Manja.
Në luftë me kohën dhe numrat për arritjen e marrëveshjes
Tashmë që palët janë rikthyer në pikën zero, me socialistët që nuk i kanë 84-votat, Lulzim Bashën që ka bojkotuar seancën e nesërme, dhe Rithemelimin që vijon skenarin e bojkotit, kalimi i amnistisë penale gjatë ditës së nesërme duket pothuajse i pamundur. Në këtë mënyrë mijëra të dënuar që prisnin lirimin, apo një pjesë tjetër që prisnin uljen e dënimit, do të vijojnë të qëndrojnë në burgje, për të cilat thuhet se ka mbipopullim.
Kush përfiton nga amnistia:
1. Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.
2. Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.
3. Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
4. Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
5. Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Nuk përfitojnë ata të dënuar për vepra penale:
krimet kundër njerëzimit;
krimet e rënda kundër jetës;
veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;
krimet seksuale;
veprat penale kundër lirisë së personit;
veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;
veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;
vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;
vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;
veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;
vepra penale kundër mjedisit;
krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;
vepra me qëllime terroriste;
krime kundër autoritetit të shtetit;
vepra penale kundër drejtësisë;
vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;
vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.
/ZËRI