Aktualitet

OBSH: Studimi shqiptar provon se vaksinat përforcuese për punonjësit shëndetësorë janë jetike

Studimi i ri në Shqipëri sjell prova të reja se vaksina përforcuese ndaj COVID-19 ofron mbrojtje të shkëlqyer kundër infeksionit SARS-CoV-2 te punonjësit e kujdesit shëndetësor.

D.XH
OBSH: Studimi shqiptar provon se vaksinat përforcuese për
Vaksina antiCovid

TIRANË- Një studim i ri në Shqipëri sjell prova të reja se përforcuesi i vaksinës antiCOVID-19 ofron mbrojtje të shkëlqyer kundër infeksionit SARS-CoV-2, te punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Studimi u krye nga Instituti Shqiptar i Shëndetit Publik, Qendra e Evropës Juglindore për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Sëmundjeve Infektive, Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën dhe Qendrat e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, me mbështetjen e Task Forcës për Shëndetin Global dhe është botuar këtë javë në Forumin e Hapur të Sëmundjeve Infektive.

Studimi zbuloi se punonjësit shëndetësorë që morën një përforcues antiCOVID-19 gjatë valës së Omicron, kishin 88% më pak gjasa të sëmureshin me COVID-19 sesa punonjësit e pavaksinuar shëndetësorë.

I kryer mes afro 1500 punonjësve shëndetësorë në 3 spitale nga janari deri në maj 2022 (periudhë kur Omicron qarkulloi gjerësisht në Shqipëri), studimi ofron prova reale mbi efektivitetin e përforcuesit të vaksinës COVID-19 – dëshmi që ka munguar në vendet me të ardhura mesatare në mbarë botën, duke përfshirë rajonin evropian të OBSH-së.

“Me infeksionet COVID-19 në rritje përsëri në Shqipëri dhe globalisht, gjetjet e studimit janë një kujtesë e rëndësishme që vaksinat mbeten mënyra më e mirë për t'u mbrojtur kundër COVID-19”, tha Silvia Bino, autore e studimit dhe shefe e ISSHP.

“Ne inkurajojmë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, si dhe popullatat e tjera të cenueshme që të paraqiten dhe të bëjnë vaksinën kundër COVID-19 dhe vaksinën e gripit këtë vjeshtë dhe dimër. Duke qëndruar të përditësuar me vaksinat e COVID-19 dhe duke marrë vaksinën e gripit sezonal, popullatat e cenueshme mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e tyre për t'u sëmurë ose shtruar në spital nga COVID-19 dhe gripi", shtoi Bino.

Thirrja e Bino-s vjen në një kohë kur marrja e përforcuesit të vaksinës ndaj COVID-19 mbetet e ulët në Shqipëri dhe vende të tjera në Ballkan dhe në të gjithë Rajonin Evropian të OBSH-së, i cili mbulon 53 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore.

OBSH rekomandon që punonjësit shëndetësorë që punojnë në terren të marrin një përforcues antiCOVID-19, 12 muaj pasi kanë bërë më parë një vaksinë. Për më tepër, OBSH rekomandon që grupet e tjera të rrezikuara - duke përfshirë të moshuarit dhe njerëzit me gjendje mjekësore jo të mirë - të marrin një përforcues antiCOVID-19, 6 ose 12 muaj pas dozës së tyre të mëparshme të vaksinës antiCOVID-19, në varësi të moshës ose sëmundjeve kronike dhe në përputhje me rekomandimet.

Që nga shtatori 2023, vetëm 20% e punonjësve shëndetësorë në Shqipëri ishin vaksinuar kundër COVID-19 dhe shumica e dozave përforcuese ishin marrë më shumë se një vit më parë. Kjo marrje e ulët e dozës përforcuese ka ndodhur pavarësisht rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë që të gjithë punonjësit shëndetësorë të marrin një përforcues të vaksinës antiCOVID-19 në vitin 2023. Në të kundërt, bërja e vaksinave parësore ishte e lartë (83%) midis punonjësve shëndetësorë.

“Përforcuesi i vaksinës antiCOVID-19 dhe marrja e vaksinës së gripit nga punonjësit e shëndetësisë nuk është kritike vetëm për punonjësit e shëndetësisë dhe shëndetin e pacientëve të tyre. Ndihmon gjithashtu për të siguruar një sistem shëndetësor mirëfunksional dhe të fortë që mund të përballojë më mirë presionin e shtuar këtë vjeshtë dhe dimër, dhe mbi të gjitha, kujdes më të mirë për njerëzit, shëndeti i të cilëve është në gjendje kritike”, tha Albana Fico, drejtuese e QSUT.

“Ndërsa studimi mati efektivitetin e përforcuesit të vaksinës antiCOVID-19 kundër infeksionit simptomatik SARS-CoV-2, studime të tjera kanë gjetur vazhdimisht se dozat përforcuese antiCOVID-19 shpëtojnë jetë dhe mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda”, tha Iris Finci, epidemiologe në OBSH/Evropë dhe autore kryesore e studimit.

Gjetjet e studimit mbështesin rekomandimin e Ministrisë Shqiptare të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të gjithë punonjësit e shëndetësisë duhet të marrin një dozë përforcuese kundër COVID-19 çdo 12 muaj.

Shqipëria ka nisur tashmë fushatën e saj për nxitjen e vaksinës antiCOVID-19 këtë vjeshtë. Punonjësit shëndetësorë dhe grupet e tjera të cenueshme mund të marrin vaksinën kundër gripit që nga 15 tetori.

“Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë bërë një punë të shkëlqyeshme ndër vite, duke nxitur marrjen e vaksinave kundër gripit nga popullatat vulnerabël. Këtë vit, OBSH në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e tyre për të mbrojtur më të rrezikuarit si nga COVID-19 ashtu edhe nga gripi”, tha Geraldine McUeeney, Përfaqësuese e OBSH-së në Shqipëri.

Shqipëria është pjesë e një projekti të përbashkët të OBSH/Evropës dhe Bashkimit Evropian për forcimin e elasticitetit të sistemeve shëndetësore në Ballkanin Perëndimor./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB