
TIRANË- Në dy studio paralele, në njërën anë me Blendi Fevziun e veshur me bluzën e bardhë, dhe në anën tjetër ish-deputeten Grida Duma si drejtuese e një emisioni televiziv, studentët e mjekësisë ia kanë dalë që shqetësimet e tyre ti përcjellin me zë dhe me figurë, në nisje të këtij viti akademik, të cilin deri tani e kanë bojkotuar, për shkak të VKM-së se qeverisë që i detyron ata që të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri. Përpos devotshmërisë së tyre për të punuar dhe për të dhënë kontribut në atdhe, një sërë pikash janë problematike në VKM-në e kaluar në Kuvend, pasi tashmë studentëve iu mohohet e drejta e specializimit, në një vend me standarde më të larta se Shqipëria.
Shumë prej studentëve e quajtën skllavëri vendimin e qeverisë, sa kohë që kjo e fundit nuk bën asgjë qoftë për rritjen e standardeve të spitaleve, qoftë në drejtim të pagave të bluzave të bardha.
“Nëse një student ti e detyron, do shkosh të punosh ku të them unë, sa vite të them unë, me këtë pagë që them unë, është e barabartë me skllavërinë. Vetë tregu i punës e dikton që unë nesër kur të diplomohem si mjek të shkoj aty ku paga është më e lartë, mirëqenia më e mirë dhe të ndjek specializimin që kam dashur. Por ky shtet që mua më tha do paguash 450 mijë lekë të vjetra vit për vit, do shlyesh provimet dhe në fund do marrësh diplomën, tani në mes të studimeve më thotë ti tani do paguash 6 milionë e 800 mijë në vit sepse ky është me VKM, do rrish dhe 3, 4 vite sa dua unë. Ku ta di unë që kjo qeveri ose një tjetër vjen e më thotë që ti nuk do vazhdosh me specializim?”, u shpreh njëri prej studentëve në studion e Opionion.
Por a e kalon ligji për studentët e mjekësisë testin e Kushtetueshmërisë? Për avokatin Jordan Daci, po! Ndërkohë që për drejtuesin e departamentit të gazetarisë Mark Marku, i cili i shte gjithashtu pjesë e panelit, qeveria duhet të kishte gjetur forma të tjera për të bindur studentët që të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të Universitetit. Sipas Dacit, degët prioritare ku hyn edhe Mjekësia mund dhe duhet të trajtohen me ligj të posaçëm, për shkak se kemi të bëjmë me një fushë jetike për shoqërinë. Por megjithatë ai iu kërkoi studentëve të Mjekësisë që të detyronin qeverinë që në ligj të vendosen më shumë klauzola në favor të tyre.
“Profesionet e rregulluara janë profesione që kanë ligj të posaçëm për një arsye të thjeshtë sepse me këto profesione shteti bën politika edhe gjeografike midis të tjerave. Janë profesione që janë të ndjeshme për jetën e njeriut dhe duhet t’i shpërndajë kudo”, u shpreh ai. Daci theksoi se ka edhe profesione të tjera që kanë detyrime dhe këtu përmendi gjyqtarët dhe magjistratët.
“Edhe gjyqtarët, edhe magjistratët janë të detyruar të shkojnë ku t’u thotë shteti dhe nëse nuk shkojnë do të paguajnë lekët që kanë marrë nga dita e parë deri ditën e fundit. Kjo ndodh prej disa dekadash. Ajo për të cilën duhet të bini dakord, biles unë solidarizohem me studentët pasi vetë kam qenë student, kam qenë shumë aktiv, problemi është shumë i thjeshtë që ju keni një problem në raport me pozicionin sepse ndërkohë që kritikoni dhe thoni nuk jemi dakord, juve nuk ju prek fare. Nëse do të jeni sinqertë në këtë që pohoni kur ju pyet Blendi a do ikni, praktikisht ligji nuk ju kap fare sepse të gjithë thoni do rrimë në Shqipëri.
Ju siguron banesën nëpërmjet kredisë së butë. Ju siguron punësimin e sigurtë dhe normalisht të merrni një shtëpi sot sipas statistikave duhen 25 vite punë, ndërkohë ju e merrni që ditën e parë me kredi të mbuluar nga shteti, mjekët, këta që do nënshkruajnë kontrata gjithmonë”, deklaroi avokati.
Madje për studentët shtoi se çështje të tilla janë trajtuar disa herë nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Madje sipas tij, detyrimi duhet të shtrihet edhe në shumë sektorë të tjerë.
“Jam i sigurtë që edhe këtu tek ne ka nevojë që ky detyrim të shtrihet edhe në shumë sektorë të tjerë dhe sa më shumë ne ekspozohemi ndaj largimit të trurit aq më shumë do duhet të zgjerojmë këtë detyrim. A ishte kjo mënyra ideale? Sigurisht që këtu mund të ndahen pafund variante, por gjithsesi duhet të bimë dakord që masa për të kufizuar largimin është proporcionale dhe e kalon atë testin që ne e quajmë testin kushtetues. Jam i sigurtë që dhe gjasat që kjo gjë të fitohet në Gjykatë Kushtetuese janë pothuajse zero për një arsye të thjeshtë sepse bëhet një peshim midis interesit publik… Sigurisht kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet të “kompensoheni” për “dëmin” që pësoni sepse po sakrifikoheni për të mirën e shoqërisë sikurse dhe shumë profesione të tjera”, tha Daci.
Për Markun ka një përplasje mes të drejtës së shtetit që të sigurojë mjekësi për të gjithë, dhe të drejtës së studentëve për të pasur zgjedhje të lirë.
“Unë mendoj që këtu ka një përplasje mes dy të drejtave, e drejta e shtetit që të sigurojë arsim dhe mjekësi për të gjithë, dhe kjo e fundit sigurohet nëpërmjet arsimit dhe të drejtën e studentëve për të qenë të lirë në zgjedhjet e tyre. Të dyja qëllimet në vetvete janë pozitive, mënyra si janë trajtuar nuk është e duhura. Normalisht që shteti ka një kosto që është e taksave të qytetarëve për të gjithë sistemin arsimor, por është i detyruar që të sigurojë mjekësinë për të gjithë. Mendoj që çdo shtet duhet të gjejë format ta garantojë këtë. Shqetësimi i ikjes së mjekëve dhe braktisjes së mjekëve, nuk ka mjekë aty ku janë qytetarët. Ka në Tiranë, por jo në Rrëshen. Qëllimi është i mirë për të shkuar drejt një zgjidhjeje, por forma është shumë e ashpër dhe arrogante sepse nuk mund t’u marrësh diplomat studentëve.
Normale është e drejta e studentit që ta ketë sepse është e tija, nuk është e shtetit. E shtetit është vetëm nëse diploma është e falsifikuar. Duheshin gjetur forma më elegante për ta rregulluar, për t’i pajtuar këto dy të drejta dhe për të bërë të mundur që studentët të rrinë këtu, të ketë një formë angazhimi. Unë po them rastin tim, kur kam shkuar për herë të parë për studime në Francë, kam marrë bursë nga një fondacion bavarez. I cili financonte për studentët e Lindjes që studionin gazetari që të ktheheshin në vendet e lindjes, në ’95-ën. Dua të them që forma e detyrimit nuk është e pranueshme. Kur mora bursën, studimet i bëja në Francë dhe kam bërë një deklaratë që unë do kthehem të ushtroj profesionin në Shqipëri. Unë mund të rrija se askush nuk do më bënte asgjë, se nuk ishte në formë detyruese, por nuk është kjo forma mendoj unë. Duhet t’i kuptojmë të dyja palët dhe të shkohet drejt një zgjidhjeje jo arrogante. E kam parë ligjin me kujdes, studentin nuk mund ta detyrojë shteti për të mos kryer specializimin. Duhet gjetur një zgjidhje!”, tha Marku, ndërkohë që po pedagogia e Gazetarisë Iris Luarasi, ishte më empatike në kërkesat e saj ndaj studentëve, dhe detyrimit të tyre për t’iu shërbyer edhe njerëzve në zonat më të thella.
“Në Shqipëri, 1.9 mjekë për 1 mijë banorë. Që do të thotë, a keni ju njerëz nëpër fshatra? Kushërinj, kushërira, gjyshe, gjyshër? Njerëz që i keni? Nëqoftëse ata ngelen pa sistem shëndetësor, duhet ta zgjidhë shteti. Shteti si ta zgjidhi? Ta bëjë këpucarin, t’i japë përparësen? Ça të bëjë?! Më fal, por nuk është kjo mënyra si funksionon. Në këtë aspekt ne duhet ta shikojmë me një lloj qytetarie dhe një lloj kompasioni. Pra, ata njerëzit që ngelen atje pa asnjë mjek, pa asnjë infermier, kush do i kurojë? Kush i ka bërë ata, i ka bërë lopa?! Jo more dhe ata kanë prindër, kanë lindur fëmijë dhe gjithë detyrimet i ka shteti. Është detyra e tyre që t’u sigurojë mjekë, infermierë dhe kushte të mira. Unë me këtë nuk u heq asnjë presje kërkesës tuaj për të pasur kushte të mira, këtë dua dhe unë si pacient. A ka ndonjë pacient që shkon në spital dhe do të shohë një gjë të palyer, të qelbur, të zë tmerri se do shkosh të ulesh në krevatin e spitalit? Absolutisht jo, nuk ka asnjë qytetar e asnjë mjek që nuk e donte kushtin e mire”, u shpreh Luarasi gjatë debatit me studentët.
Nga ana tjetër në studion e “Top Story”, qendrimi i analistit Arjan Curri, ishte më radikal, duke akuzuar studentët se nuk e duan atdheun e tyre, e madje nuk janë të denjë për të bërë edhe betimin e hipokratit. I pranishëm në panel, epidemiologu Ilir Alimehmeti tha se betimi i hipokratit ka vetëm vlerë etike dhe joligjore.
Pjesë nga debati:
Curri: Mos e politizoni çështjen sepse nuk i ndihmoni. Po e kthyet çështjen në betejë PD-PS….
Alimehmeti: Jo jo, po të shpjegoj betimin e Hipokratit.
Curri: Mua do të ma shpjegosh?!
Alimhemeti: Tani betimi i Hipokratit ka një vlerë etike, jo ligjore sikurse kanë betime të tjera.
Curri: Në qoftë se ju doni që PD-ja të marrë kauzën e këtyre studentëve dhe të eci përpara do t’i dëmtoni. Mirë është ti lini, të mos i politizoni.
Alimhemeti: Ndoshta nuk po më dëgjoni. Unë po ju shpjegoj kush është betimi i Hipokratit. Nëse juve e njihni unë po ju shpjegoj. Është një betim që bëhet si ceremoni dhe një betim etik.
Curri: Me etikën po them edhe unë pra, s’po merrem fare me ligjin. Sa nga këta student janë gati të betohen solemnisht ose këtu ose brenda tyre që 6 muaj apo 1 vit unë do t’ia japë këtij vendi? Qoftë edhe pa lekë fare…
Duma: Ti dëgjojmë njëherë studentët.
Studenti: Protesta jonë po keqkuptohet si një protestë e ngjashme me eksodin e viteve ’90, që studentët duan të largohen direkt nga Shqipëria. Por jo, kjo është një protestë se ne duam të rrimë në Shqipëri.
Curri: Doni të rrini? Sa kohë do rrini?
Studente: Pse duhet ta kufizosh kohën?
Curri: Sepse nuk duam t’u mbajmë përjetësisht. Një ëndërr e ka njeriu. Siç keni ju ëndërr për të ikur në Gjermani, ju mund të kishit një ëndërr që ne duam të rrimë një apo dy vjet në Shqipëri. Ju na thoni “duam lëvizjen e lirë, duam diploma”, pra kështu po na thoni që duam të ikim.
Studenti: Ka shumë student aktualisht që po protestojnë dhe po bojkotojnë, të cilët duan të rrinë në Shqipëri edhe pse ligji ata i mban në Shqipëri. Por ky ligj cenon të drejtat e njeriut dhe ne prandaj po protestojmë, po protestojmë për të drejtat e njeriut. Nëse unë dua të rri në Shqipëri, dua të rri sepse e kam zgjedhje të lirë. Nuk dua të detyrohem.
Curri: Ju personalisht, a jeni gati të betoheni solemnisht se unë një vit apo dy vjet do të rri në këtë vend?
Studente: Jo, pse?
Curri: Është ofertë për atdheun, për kombin tënd. Se ju po thëtë lëvizje e lirë është njëlloj sikur të thoni na jepni diplomat se do të ikim. Edhe unë me atë jam, t’ua japin diplomat dhe të ikni, por kujt do t’ia lini këtë vend?! Kujt do t’ia lini këta njerëz?
Ajo që bie në sy në panelet e mbrëmjes së djeshme është mungesa e vetë rektorit të Mjekësisë Arben Gjata, i cili nuk ka pranuar që të ballafaqohet me studentët, ndërsa vetë gjendet nën akuzë dhe nën masën e detyrimit të paraqitjes në Gjykatë, për përfshirjen e tij në dosjen e sterilizimit. Megjithë mungesën e tij, studentët folën! Ata dëshmuan edhe në studio medaljet e tyre të arit, sepse çdokush nga të përzgjedhurit veçanërisht në degën e Mjekësisë, zakonisht ka një mesatare të tre viteve të gjimnazit 10, ndërsa në të njëjtën lartësi duhet të kenë pasur dhe lëndët me zgjedhje.
Ndërkohë që bojkoti në auditore vijon, bluzat e mjekëve të së ardhmes ndahen me llotari... të humburit e mëdhenj në këtë situatë mbeten vetë studentët, familjet e tyre, dhe të gjithë shqiptarët që kanë nevojë për një mjekësi dinjitoze. Studentët janë në pritje dhe të një takimi me ministren e re të Shëndetësisë Albana Koçiu, dhe me ministren e zhvendosur nga Shëndetësia te Arsimi Ogerta Manastriliu, për të gjetur një të mesme të artë për shqetësimet e tyre! Deri tani nuk ka një datë për këtë takim!/ Zëri.ai