TIRANË-Pas arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi pasditen e 26 gushtit, Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet lidhur me skemën e abuzimit me tenderat e AKSHI-t dhe lidhjet e tij të mundshme me zyrtarë e grupe kriminale.
Sipas gazetarit Arsen Rusta agjentët e BKH-së kanë marrë në pyetje dy persona që kanë dijeni për aktivitetin e Agasit, si dhe kanë ushtruar kontrolle në pronat e tij në Elbasan, një nga qytetet ku dyshohej se qëndronte gjatë arratisë.
“Sipas Strukturës së Posaçme, janë identifikuar dy grupe të strukturuara kriminale: i pari dyshohet se drejtohej nga biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ndërsa grupi tjetër drejtohej nga shtetasi Daniel Shima. Në kuadër të veprimeve të fundit hetimore, agjentët e BKH-së kanë marrë në pyetje dy persona që kanë dijeni për aktivitetin e Agasit, si dhe kanë ushtruar kontrolle të rrepta në pronat e tij në qytetin e Elbasanit. Një element kyç për organin e akuzës mbetet zbërthimi i aparatit telefonik të sekuestruar, i cili pritet të zbulojë komunikime dhe prova me vlerë të rëndësishme për dosjen”, raportoi për MCN gazetari.
Ende nuk dihet se cilët persona janë marrë në pyteje nga SPAK, apo objektet në cilat është ushtruar kontroll. Ergys Agasi ndodhet në paraburgimin e Bradasheshit, ku do të vijojë qëndrimin nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’.
ZËRI raportoi mbrëmjen e 26 gushtit se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës.