SARANDË- Një 47-vjeçar i identifikuar si Aleksandër Rica është arrestuar në flagrancë nga Policia e Sarandës, pasi po kryente punime për ndërtimin e paligjshëm të një objekti në zonën e plazhit, në lagjen nr. 4 të qytetit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti u konstatua gjatë kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren. Shërbimet e Policisë "Shqiponja" konstatuan një sipërfaqe toke të mbuluar me materiale ndërtimore që po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllime përfitimi. Gjatë operacionit janë hequr dhe sekuestruar 48 shezlongë dhe çadra.
Për këtë rast, u pezullua nga detyra edhe polici i zonës dhe ndaj tij nisi procedimi disiplinor për shkelje të rëndë, pasi nuk kishte konstatuar paligjshmërinë.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Po kryente punime për ndërtimin e paligjshëm të një objekti, në zonën e plazhit, në lagjen nr.4, arrestohet në flagrancë 47-vjeçari.
Hiqen dhe sekuestrohen 48 shezlongë dhe çadra, nga hapësira e plazhit në këtë zonë, të cilën ky shtetas e administronte pa leje.
Pezullohet nga detyra Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), si dhe nisi procedimi disiplinor ndaj tij, për shkelje të rëndë.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Policisë konstatuan pranë plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr.4, një sipërfaqe toke të sheshuar dhe të mbuluar me materiale ndërtimore.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo sipërfaqe toke po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllime përfitimi, nga shtetasi A. R.
Në përfundim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 47 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u pezullua nga detyra Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), shtetasi A. N., si dhe nisi procedimi disiplinor ndaj tij, pasi nuk ka konstatuar këtë paligjshmëri.
Kontrollet dhe verifikimet në territor vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.