Aktualitet

SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit

Kompania ‘DAAM’, shpk, e cila zotërohej indirekt nga Evis Berberi (drejtori i ARRSH-së, që aktualisht është vendosur në pranga) dhe më shumë se 34 mijë m2 tokë.

k.m.
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Evis Berberi

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro ndaj pasurive të dy ortakëve të Evis Berberit, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Sipas njoftimit të bërë me dije në SPAK, Kompania ‘DAAM’, shpk, e cila zotërohej indirekt nga Evis Berberi (drejtori i ARRSH-së, që aktualisht është vendosur në pranga) dhe më shumë se 34 mijë m2 tokë, gjithashtu në pronësi të kësaj kompanie, janë vendosur në sekuestro. Bashkë me kompaninë dhe tokën, po ashtu janë bllokuar edhe 6 mjete, njëra e vitprodhimit 2022.

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime kryesisht në kuadër të procedimit penal Nr. 214, të vitit 2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258, 244-25, 259, 287/2 të Kodit Penal.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, për faktin penal të rezultuar dhe personat e dyshuar (njoftim i datës 14.03.2024), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.164, datë 18.03.2024, ka vendosur: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; 2. Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e mëposhtme: · Kuotat e shoqërisë “DAAM” sh.p.k., me ortak personin nën hetim V. B. dhe administrator personin nën hetim E. L; · Pasurinë e paluajtshme Nr.80/2, e llojit “arë”, me sipërfaqe 25,100 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k. · Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë” me sipërfaqe 1,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.; · Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 1,080 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.; · Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 2,055 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.; · Pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 5,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.; · Automjetin e markës “SKODA”, modeli “FABIA”, viti i prodhimit 2019; · Automjetin e markës “JEEP”, modeli “COMPASS”, viti i prodhimit 2011; · Automjetin e markës “BMË”, modeli “X3”, viti i prodhimit 2004; · Automjetin e markës “FORD”, modeli “KUGA”, viti i prodhimit 2011; · Motomjetin e markës “DAYANG”, modeli “DY125T-32”, viti i prodhimit 2022; · Automjetin e markës “KIA”, modeli “SELTOS”, viti i prodhimit 2020; · Automjetin e markës “HYUNDAI”, modeli “AVANTE”, viti i prodhimit 2020.

GJKKO ka lënë në burg pak ditë më parë Evis Berberin dhe 2 biznesmenët, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Berberi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”.

Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB