
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar detaje të reja për disa nga dosjet e depozituara për t'u hetuar. Burime për "Zëri.ai" bëjnë me dije se SPAK ka regjistruar një hetim sa i përket dyshimeve me abuzimet e fondeve të IPARD nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë shtojnë se çështja ka mbetur në fazën e hetimit paraprak, por shtojnë se dosja është regjistruar pa emër.
Për megaoperacionin “Metamorfoza”, Altin Dumani komentoi dosjen e përgjimeve që janë zbuluar nga aplikacioni SKY ECC, ku persona të botës së krimit komunikonin pa u përgjuar.
Dumani, i konsideron të ligjshme aktet e mbërritura nga partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë praktikën dhe vendimet e formës së prerë të disa gjykatave të vendeve europiane që i kanë njohur transkriptet si të ligjshme dhe si pasojë kanë futur dhjetra persona në burg. Po ashtu, shtoi se për procedimin në fjalë po bëhen veprime hetimore aktive, por nuk preferoi të shtonte nëse do të hapte një "kapitull" të ri hetimi. Dumani foli edhe për Ervis Martinajn, por nuk ka dhënë shumë detaje për fazat e hetimit, por ai u shpreh se për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetojmë.
“Nuk kemi prova se ai ka vdekur. Për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetohet,”– tha Dumani.
Për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, Altin Dumani tha se nuk ka informacion konkret për vendndodhjen e tij apo që të ketë dijeni nëse ka kërkuar azil, por paralajmëroi zhvillime të reja lidhur me dosjen. Sa i përket, ish-ministrit tjetër, Damian Gjiknurit, kreu i SPAK tha se ai është verifikuar, por nuk ka asnjë hetim për të.
“Dimë kur dhe ku ka dalë nga Shqipëria, çfarë dokumenti ka paraqitur dhe arsye. Së shpejti do kemi zhvillime surprizuese. Gjiknuri është verifikuar në kuadër të hetimeve për Ahmetajn, kjo nuk do të thotë se ka hetim për secilin që del në atë procedim penal,"-theksoi kreu i drejtësisë.
Sa i përket dosjes së bujshme të Fredi Belerit, Dumani tha se ajo është një dosje si gjithë të tjerat. Lidhur me kallëzimin për çështjen McGonigal, Dumani tha se çdo informacion dhe e dhënë e publikuar në media, është në vëmendjen e SPAK. Ndërsa për Amant Josifin, numri një i institucionit të hetimit, Dumani tha se ai është vendosur në pranga si pasojë e një hetimi që ka nisur në Spanjë. Lidhur me faktin nëse ka çështje të hapur në Shqipëri, Dumani shtoi: Nuk na tremb Amant Josifi dhe asnjë i ngjashëm, kush do qoftë, nëse do kemi diçka konkrete, gjithsecili do japë llogari!
Por nuk e komentoi lirimin e tij, po nga autoritetet që e vendosën në pranga. Sa i takon dosjes së sterilizimit pas sugjerimeve të Gjykatës së Posaçme, Altin Dumani tha se është një çështje ende nën hetim.
“Nuk përjashtohet mundësia në çdo kohë të ketë persona të tjerë nën hetim. S’kam koment për vendimin e gjyqtarit. Vijon të jetë nën hetim nga dy prokurorët e çështjes (Edvin Kondili e Eneid Nakuçi). Kam ushtruar kompetencat e mua si drejtues i prokurorisë sa më takon ligji. Sa i takon hetimit pasuror, është praktikë në SPAK që kryhet si për veprën penale të korrupsionit edhe për krimin e organizuar, është hetim paralel,”- tha Dumani.
Por më pak koment kishte për dosjen "Gërdeci", duke theksuar se drejt SHBA-ve janë nisur letërporosi që pritet të përdoren edhe gjatë procesit të gjykimit.
Mesa duket, me ardhjen e vjeshtës, do të ketë zhvillime të reja edhe nga drejtësia, me të akuzuar dhe dosje të tjera./Zëri.ai