Aktualitet

Mjeku Edvin Prifti në SPAK, akuzohet për pastrim parash e korrupsion

Pritet që kur të dalë nga godina të japë edhe një prononcim të shkurtër për gazetarët jashtë. Prifti do të pyetet si person nën hetim, pasi prej 4 vitesh po hetohet pasi emri i tij doli në dosjen e ish-gjyqtares Enkelejda Hoxha.

k.m.
Mjeku Edvin Prifti në SPAK, akuzohet për pastrim parash e korrupsion
Edvin Prifti

TIRANË- Kardiologu Edvin Prifti akuzohet zyrtarisht për pastrim parash dhe për korrupsion. Akuzat iu komunikuan sot nga hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prifti shkoi sot i vetëm në Gjykatë, pasi qëndroi më shumë se 3 orë, iu komunikuan akuzat për pastrim parash dhe korrupsion. Emri i tij doli në dosjen e ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, pasi kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi fliste me të motrën për të siguruar paratë. Gati 1000 euro do t'ja jepte doktorit që t'i operonte të ëmën jashtë radhe nga zemra. 

Mallkuçi ishte shtruar në spital me urgjencë, dhe më pas ishte liruar, duke ngjallur dyshime tek SPAK, ndërsa kartela e pacientes mbante emrin dhe firmën e Edvin Priftit.

“Në datën 09.02.2021, ora 10:15. në zbatim të vendimit të Prokurorit, policia gjyqësore ka kqyrur dhe marrë me cilësinë e provës materiale kartelën mjekësorë të shtetases Besnike Mallkuçi. Nga kjo kartelë rezulton se shtetësja Besnike Mallkuçi është shtruar në spital në datën 06.07.2020, ora 09:20. me shënimin “urgjent” dhe ka dalë nga spitali në datën 15.07.2020. Gjithashtu, referuar kartelës mjekësore rezulton se mjeku përgjegjës për këtë paciente ka qenë pikërisht doktori kardiokirug Edvin Prifti. Gjatë kohës që Policia Gjyqësore po kqyrte dhe merrte kartelën mjekësore të shtetases Manuela Mallkuçi, i hetuari Edvin Prifti telefonon shtetasen Trëndafile Frangu (File) dhe i Erkon Files që të shkojë t’a takoje (biseda realizohet në datën 09.02.2021, ora 10:25). Ndërkohë që në datën 09.02.2021, ora 10:23 Emanuela Mallkuçi, ka biseduar me nënën e saj ku ndër të tjera i thotë se e kishte marrë Filja në telefon, e cila i ka treguar kishte shkuar SPAK-u he po verifikon Edvinin dhe ka kërkuar dosjen e mamasë tënde. Në këtë bisedë, Manuela ulet shumë e shqetësuar dhe duket se bien dakort që të mos thonë asnjë gjë në lidhje me dhënien e parave në orën 10:57, të datës 09.02.2021, doktori Edvin Prifti telefon i shqetësuar Filen (Trëndafile rangu) dhe i kërkon që të shkojë t’a takojë sërish në zyrë. Në orën 11:22, të datës 09.02.2021, Trëndafile Frangu të cilës, ndër të tjera i shpjegon se e kishte kërkuar Edvini dhe e kishte pyetur për një kartelë të marrë sot. Në këtë bisede dy bashkëbisedueset flasin se doktori ka shumë para etj, etj,”-shkruhej në dosjen e SPAK.

Pas kontrollit të zhvilluar në banesën dhe në zyrën e tij, iu gjetën shuma të mëdha parash, më konkretisht iu gjetën dhe iu sekuestruan 250 mijë euro dhe 160 milion lekë. Këto para, sipas avokatit të tij, Henkrik Ligori , paratë e gjetura ishin të ligjshme dhe ishin siguruar nga një shitje e bërë.

“Paratë e gjetura janë të ligjshme nga një shitje. Një pjesë e tyre nuk u gjetën në zyrë, por në çantë, të cilat do t’i dërgonte në bankë për të bërë një blerje. Në aktet e dosjes nuk vërtetohet se mjeku ka marrë para, janë vetëm bisedat e kryesekretares me një shoqen e saj,”-pretendonte ai. 

Por përveç parave, kishte dhe një bllok me emra dhe shuma parash të shënuara së bashku, ndaj dyshohej se mjeku pranonte para nga pacientët për operacionet që zhvillonte. 

Sipas Top Channel, përveç njoftimit të akuzës, sot SPAK ka vendosur sekuestro edhe mbi llogaritë bankare të mjekut kardio-kirurg Edvin Priftit, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekësh dhe shumën prej 177.497 Euro. Kjo pasi Policia Gjyqësore ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij. Nga hetimet ka dyshime se se Prifti ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.

Mirëpo, përveç dosjes së Krujës, Prifti akuzohet edhe për abuzim me tenderat në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Lidhur me këtë akuzë, në gusht të 2021, ai shkruante se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë komisioni për vlerësim tenderash, duke iu përgjigjur dhe dyshimeve të SPAK për arsyen e zgjatjeve të hetimeve.

“Artikulli me i fundit shkencor i yni i sapo publikuar ne nje nga revistat shkencore te avanguardias FRONTIERS in Cardiovascular Medicine. Komplimente gjithe autoreve. Keto artikuj dhe studime jane puna ime me te cilen krenohem une por besoj heret a vone edhe vendi im dhe jo tenderat sikurse po lexoj ne media. Une skam qene kurre anetar i ndonje tenderi apo komisioni vleresimi tenderash. Nese dikush gjen emrin dhe firmen time ne ndonje komision te vleresimit te ofertave te tenderave do ti lutesha ta bente publike. Kjo pasi kam refuzuar gjithmone te jem pjese e tenderave. Nderkohe, ne kemi rritur nga 400 ne mese 900 operacione ne vit sherbimin e kardiokirurgjise ne QSUT me te njejten sasi financimi. Kjo do minimizonte qe njerezit te operohen jashte vendit dhe ne struktura private ku do ju duhej te shpenzonin. Mesa duket vetem kjo nuk mjafton per te mos u perfolur pa te drejte!”- shkruante Prifti në Facebook.

Gjatë gjithë kësaj kohe, mjeku nuk ka pasur mundësi t'i rikthehej profesionit të tij, por Gjykata e Apelit i la vetëm të drejtën për t'u rikthyer në detyrë, si pedagog. Detyrë që e mban prej vitesh./ZËRI

Poll

MOS HUMB