
TIRANË- Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë rënë në gjurmët e një grupi prej 6 personash, të cilët mashtronin qytetarët me viza amerikane. Policia dhe prokuroria bëjnë me dije se njëri prej autorëve ka fituar shumën prej 10 mijë eurosh me premtimin për të lëshuar viza për në SHBA, me formularë të rremë.
Të arrestuarit janë, Renato Nasto, Klea Prifti, Klaudio Leçini, Xhemal Seseri dhe Klaus Kapedani. Ndërsa është shpallur në Eduart Gjini. Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar jep informacion dhe për emrin e faqes në Instagram që përdorej për qëllime të tilla. Renato Nasto, nëpërmjet adresës në rrjetin social ‘Instagram’, emrin “viza_amerikane_insider”, kishte vendosur postimin “viza Amerikane me garanci 100%.
ZËRI ka siguruar dhe foton e Nastos, i cili dyshohet se ishe dhe koka e grupit të mashtruesve.
Nasto paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kualifikoheshin, ai merrte shumën prej 10.000 Eurosh.
Lidhur me këtë lajm ka reaguar dhe ambasada amerikane, e cila thotë se vizat dhe aplikimet duhet të bëhen vetëm në rrugë zyrtare.
/ZËRI