
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për në datë 5 mars, shpalljen e vendimit për Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili akuzohet për blerje votash. Për Belerin, seancën e shkuar, Prokuroria e Posaçme tha pretencën për 2 vite e 6 muaj burg.
Avokatët e Fredi Belerit deklaruan sot para mediave se përgjimi ndaj klientit të tyre ka nisur që para se të regjistrohej procedimi penal ndaj tij.
“Veprimet e vëzhgimit dhe te përgjimet ambientale janë të papërdorshme pasi janë bërë në kundërshtim me ligjin. Procesverbalet e këqyrjeve e ri transkriptimit e veprimeve të përgjime e janë të papërdorshme pasi përgjimi është i papërdorshëm i marrë në kundërshtim me ligjin neni 226. Nuk janë autorizuar nga prokuroria e gjykata kompetente, përgjimi ka filluar pa u regjistruar procedimi penal,”- thanë avokatët para mediave.
Megjithatë brenda sallës, arritën që të bënin mbrojtjen. 54 faqe diskutime mbajti para togave të zeza avokati Geni Gjyzari, ndërsa nuk mungoi një koment as nga Pandeli Kokaveshi. Ky i fundit kërkoi masë sa më të ulet dënimi për shkak të problemeve shëndetësore dhe është baba i një vajze të sëmurë.
“Më ka dënuar zoti më shumë se sa mund të më dënoni ju,”-tha Kokaveshi.
Për gati 2 orë, avokati e cilësoi të paligjshëm procedimin penal të regjistruar nga Prokuroria e Vlorës, ndërsa shtoi se përgjimet dhe vëzhgimet e policisë ishin kryer para se të nxirrnin një urdhër nga Prokuroria e Posaçme. Sipas Gjyzarit, dëshmitarët mbi të cilët ishte bazuar hetimi, vëllezërit Arsen dhe Avdul Rama, kishin dhënë disa deklarime kontradiktore, duke shtuar se i pari ishte paguar nga Policia, kur në fakt kjo është e ndaluar. Në fund, Gjyzari tha se për Belerin nuk provohet ekzistenca e faktit penal, ndaj edhe duhet liruar.
Por në datën 5 mars, pritet që të flasë Beleri dhe më pas do të merret vendimi.
Pas gjyqit, avokatët e tij theksuan edhe njëherë para mediave se procesi ndaj klientit të tyre ishte politik.
“Provuam me prova që Prokuroria nuk na ka dhënë prova, për bashkëpunëtorin e policisë dhe Prokurorisë. Cituam dhe udhëzimin përkatës ku është paguar në mënyrë të paligjshme. Pasi është arrestuar Beleri, kanë filluar të rregullojnë të gjitha letrat. Proces i paligjshëm dhe i montuar, standard i dyfishtë. Nga data 8 maj deri në 14 maj janë siguruar tabulatet, por ai nuk ka qenë fare në Himarë. S’na kanë dhënë as tabulatet e telefonave të Arsenit. Kanë qëllim ta dënojnë sepse duan të mbajnë bashkinë e Himarës. 10 muaj burg është boll”,- tha ai.
Ndërkohë që jashtë, në pritje para ambienteve të GJKKO-së, ishin grumbulluar edhe mbështetës të Belerit.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka kërkuar dënimin me 2 vite burg edhe për bashkëpunëtorin e Belerit, Pandeli Kokaveshin. Por, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe të djalit, SPAK i ka kërkuar gjykatës pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në shërbim prove për 4 vitet e ardhshme. Beleri dhe Kokaveshi akuzohen për blerje votash në zgjedhje./ZËRI