Aktualitet

Seanca për Kreshnik Hajdarin, GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar, i pranishëm dhe rivali i tij Lefter Maliqi

Kreshnik Hajdari akuzohet për falsifikimin e formularit në më shumë se një rast

E.K
Seanca për Kreshnik Hajdarin, GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar, i
Kreshnik Hajdari ne SPAK

TIRANË- Është mbajtur sot në Gjykatën e Posaçme seanca në ngarkim të kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili është nën hetim për falsifikim të formularit. Në seancën që u zhvillua në GJKKO u pranua kërkesa e avokatëve për gjykim të shkurtuar. 

I pranishëm në sallë ishte dhe rivali i tij në zgjedhjet e 14 Majit, Lefter Maliqi. SPAK dërgoi për gjykim Hajdarin, nën akuzën për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë.

Në dosjen e SPAK thuhej se Hajdari kur ka kandiduar për kreun e Bashkisë Kuçovë në qershor të vitit 2019, në formularin e vetëdeklarimit ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.

Sipas SPAK, Hajdari duke qenë kandidat për kryetar i Bashkisë Kuçovë edhe në zgjedhjet vendore me datë 14 maj 2023 kur dhe është rizgjedhur, gjithashtu ka patur detyrimin ligjor për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kreshnik Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të vitit 1999 nga Gjykata e Janinës në Greqi, me masën riedukuese të qortimit, për shkeljen: “Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse”.

Sipas SPAK, Hajdari, kishte detyrimin ligjor për të deklaruar këtë rrethanë, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Nga ana tjetër KQZ rrëzoi kërkesën e Lefter Maliqit për heqjen e mandatit ndaj Hajdarit, ndërsa çështja do të shqyrtohet sërish në apel./ZËRI 

Poll

MOS HUMB