
TIRANË- Edlira Shahu i shpëtoi vdekjes pak ditë më parë. Gruaja e cila u masakrua nga burri i saj, Jakup Shahu i cili e ka qëlluar 20 herë më thikë ka folur për herë të parë nga spitali, ku edhe ndodhet në gjendje të rëndë. Në një intervistë të dhënë për emisionin "Me zemër të hapur", ajo tregoi me detaje sesi ishte dhunuar nga i shoqi, i cili para se të niste që ta qëllonte me thikë e kishte paralajmëruar: Sonte do të vdesësh!
Më pas, e goditi më shumë 20 herë me thikë, madje shtoi se i shoqi kishte tentuar që t'i nxirrte edhe sytë me sendin e mprehtë.
"Jakupi vetëm më rrihte. Mori thikën e shtëpisë dhe nisi të më godiste. Bërtita shumë, por askush nuk më dëgjonte. Mori thikën dhe më tha që sonte do të vdisja. Më tha unë do mbaroj jetën time, ndërsa ti vdis. Më mori për flokësh nga krevati drejt kuzhinës. 17 plagë me thikë i kam vetëm tek dy duart. Falënderoj Zotin që jam gjallë. Ai mos paftë kurrë dritë me sy.Punoja, kisha të ardhura. Kam shumë plagë në trup. Në brinjë shumë. Në qafë kam tre goditje. Kam bërë shumë sakrifica, por nuk ia ka vlejtur. Jakupi kishte krijuar konflikte edhe tek restoranti ku punoja. Fiksohej kot me xhelozira pa baza,"-tha në fjalën e saj Edlira Shahu.
Gjatë seancës ku u njoh me masën e sigurisë, bashkëshorti i saj, 52-vjeçari Jakup Shahu shprehu pendesë.
“Nuk doja ta qëlloja, por u nxeha, e qëllova në debat e sipër,”-tha ai.
Por për familjarët e Edlirës, ngjarja ishte e paralajëmruar pasi vetë vajza e Edlirës tregoi se kanë qenë ato të dyja të cilat kanë shkuar në ambientet e komisariatit dhe kanë bërë denoncim për Jakupin, por nga ana e Policisë së Shtetit nuk u mor asnjë masë. Edhe pse 52-vjeçari ka qenë i dënuar më parë me vrasje. Kështu, e braktisur dhe e lënë të jetonte me atë që potencialisht mund të ishte vrasësi i saj, Edlira vetëm në dy duart ka 17 goditje me thikë dhe më shumë se 6 goditje në fytyrë dhe qafë. Por, fatmirësisht, tani ajo ka dalë nga rreziku për jetën./ZËRI