
TIRANË- Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u zhvillua me debate mes Erion Braçes dhe ministrës së Bujqësisë Anila Denaj, për shkak të heqjes së kompensimit të TVSH-së. Braçe tha se mungesa e subvencionit të TVSH-së për fermerët duhet të jetë 0%, pasi informaliteti është shtuar. Braçe tha se prodhimet vendase blihen pa faturë dhe kërkoi njehsim të skemës së TVSH-së.
“Ajo që është gabim këtu e 6 vite me radhë, është që këtë skemën e TVSH-së e trajtoni si rimbursim i fermerit. Nuk kërkojmë që skema të funksionojë si rimbursim për fermerët ky është dallimi me vitin 2018. Kam kërkuar në mënyrë të qartë njehsim të skemës së TVSH-së. Blihet ulliri në Greqi me 20% TVSH, përpunohet e shitet po me 20%. Blihet sot ulli brenda vendit blihet pa faturë fare, zero, se po funksionojë ai që grumbullon del me humbje, ndaj s’ka më faturë fare, ndaj nuk blen brenda vendit. E njëjta gjë është edhe me grurin që vjen nga Rusia me 20%, ky brenda vendit blihet me 0% ose pa faturë fare”, tha Braçe.
Për këtë cështje ra dakord edhe ministrja Denaj, por tha se kjo detyrë i përket ministrisë së Financave, pasi nuk është një funksion i ministrisë së Bujqësisë.
“Formalizimi i ekonomisë bujqësore është i ulët, faturat janë in-ekzistente, por unë nuk mundem që brenda një funksioni që nuk e kemi ne të ushtroj kontrolle fiskale tek qendrat e grumbullimit. Ne do të ishim shumë të kënaqur që të rishikohet skema e rimbursimit të TVSH-së, në momentin që Ministria e Financave është e gatshme ta bëjë këtë gjë. Kemi rënë dakord me ministrin Malaj për të ngritur një grup të përbashkët për të parë efektivitetin e skemës si dhe pjesën e TVSH-së që i takon Ministrisë së Financave”, tha Denaj.
Por përgjigjia e Denaj shkaktoi debate në Komision, pasi Braçe tha se të gjithë ministrat e Bujqësisë japin të njëjtën përgjigje se po krijohen grupe pune, por ende nuk ka një zgjidhje
“Duhet të barazohet TVSH-ja jo taksë qarkullimi si tani. Sa i takon grupit të punës, ka 6 vjet që bëhen grupe pune, çdo ministër finance që ka ardhur pas atij fatziut që na bëri gjëmën në bujqësi ka thënë të njëjtën gjë gjithmonë. Grupi i punës nuk e ka zgjidhur ka 6 vite. Nëse duam të mos gjejmë zgjidhje duhet të ngremë një grup pune”, tha Braçe.
“Nëse më kërkohet mua se çfarë mendoj me skemën e TVSH-së, jam shumë dakord të bëhet. Kjo nuk më jep të drejtën të flas për skemën se nuk është në përgjegjësi të Ministrisë së Bujqësisë. S’kam unë fare punë me Skemën e TVSH-së”, u përgjigj Denaj.
Denaj gjatë diskutimit me deputetin e PS, tha se është e gatshme të bëjë kërkesën në Ministrinë e Financave për ta rishikuar skemën.
Erion Braçe: Po ngatërrohesh, nuk ke dëgjuar asgjë.
Anila Denaj: Nuk do them çfarë doni ju
Erion Braçe: Ajo që unë kam propozuar s’ka lidhje me këtë që thoni ju
Anila Denaj: Ja keni propozuar ministrit të Financave, shumë mirë është personi i duhur.
Erion Braçe: S’ka lidhje fare kjo kam kërkuar dy gjëra.
Anila Denaj: Skema e TVSH-së duhet parë, nëse Ministri i Financave ka thënë që bëhet dhe do nga unë një kërkesë, e bëj unë shkresën edhe pa grup pune nëse është ajo që kërkoni të dëgjoni.
Përfaqësuesit e sektorit kanë ngritur shpeshherë shqetësimin për rritjen e kostove të prodhimit nga heqja e skemës së TVSh-së së kreditueshme. Në 2017, rimbursimi i TVSH ishte 20%. Skema e rimbursimit të TVSH-së iu mundësonte përpunuesve kompensimin e TVSH-së së zbritshme kur blinin mall të shoqëruar me faturë tatimore nga fermerët. Kompensimi me 20% i TVSh-së për periudhën tatimore, iu linte marzh të lartë fitimi përpunuesve, edhe kur e blinin qumështin nga fermeri me çmim të lartë. Më pas, nga 2019 deri në 2022, TVSH e kreditueshme u ul nga 20% në 6%. Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën uljen e nivelit të TVSh-së 6% në blerje dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Ndërsa prej vitit 2022, TVSH e kreditueshme u bë 0%. Shoqata e Industrisë së Përpunuesve propozoi se heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme të zëvendësohej me një skemë të ngjashme me vendet e rajonit, që TVSH-ja të faturohet e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, në nivelet 6 ose 9%. Kërkesa e tyre nuk u miratua nga Ministria e Financave, në hartimin e buxhetit të vitit 2022. /ZËRI