
TIRANË- Mjeku Edvin Prifti, i cili akuzohet për korrupsion dhe fshehje pasurie, ka publikuar një pjesë nga dosja hetimore e tij në SPAK, ku është e dekriptuar një bisedë mes tij dhe një personi të identifikuar si ‘Linda’. Në bisedën e publikuar në rrjetin social "Facebook", lexohet kur mjeku i thotë pacientes se nuk duhet të shkojë në spitalet private për të kryer një ndërhyrje në zemër, por mund ta bëjë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Teresa", pa pagesë. Prifti shkruan bashkangjitur pjesës nga dosja hetimore, se edhe një herë vërtetohet se ai nuk ka thënë asgjë të paligjshme, ndërsa i bën thirrje SPAK që të bëjë publike çdo video apo regjistrim me zërin dhe figurën e tij, ku të provohet se ka shkelur ligjin duke kryer vepër penale.
“Pergjim zyrtar me urdher gjykate 1! (te tjere si keto do te ndjekin) Pas me shume se 3 vjetesh me ne fund Spak na jep nje pjese te pergjimeve ku ne menyre te perseritur une them vecse gjera te ligjshme dhe etike. Ky jam une! Sigurisht keto nuk merren parasysh!? Me poshte eshte njera prej tyre e marre nga dosja perkatese. Gjykojeni vete ju? Edhe njehere une i bej thirrje te hapur Spak qe te beje publike cdo video apo regjistrim me zerin dhe fytyren qe te kem bere qofte edhe elementin me te vogel te paligjshem. Dhe nese une nuk them te verteten dhe vetem te verteten ne dore e kane te shtojne edhe nje akuze tjeter per mashtrim apo falsifikim!. Une do bej publike gjithshka qe ju te kuptoni te ardhmen tuaj te mundshme! p.s. shenimet dhe vizimet jane kryer nga vete Spak! Melodrama kthehet ne komedi dhe me pas ne tragjedi dhe ne fund ne nje butafori groteske!”, shkruan mjeku Prifti.
Pjesë nga dosja hetimore, ku dekriptohet komunikimi i mjekut:
Edvin Prifti (A): Alo Linda?
B-Urdhëro
A – Se më mori vetë doktori Liu tani. Dëgjo tani, në QSUT nuk ka asnjë lloj detyrimi financiar, dakord.
B– Po e di e di
A– Më fal po ti nuk ke pse e bën, ti bësh unazë gjetiu, as operacionin. Gjithçka bëhet në QSUT pa pagesë. Ti mendoje vetë, në qoftë se do t’i bësh gjërat këtu, hajde që të sistemojmë gjërat e të zëmë radhën, të të ndihmoj unë maksimalisht. Dakord, mirë?
B– Tani do vij pas Vitit të Ri
A– Hajde pas Vitit të Ri dakord, por duhet të bësh diçka se nuk mund të rrish kështu, se mund të bësh infarkt.
B– E di, por unë mendova me i ba të gjitha atje, po se përballoja
A– Po jo moj jo s’ke pse bën gjëra nëpër struktura private
Për çfarë akuzohet mjeku?
Prokuroria e Posaçme më 13 shkurt të këtij viti ka mbyllur hetimet ndaj kardiokirurgut duke i shtuar përveç akuzave të korrupsionit, fshehjes së të ardhurave, pastrimi i parave, edhe akuzën e vjedhjeve. Bëhet fjalë për një grant që ai do të duhej që ta investonte në pavionin e kardiologjisë ku shërbente në QSUT, të cilin sipas Prokurorisë e ka përvetësuar pjesërisht. Nga ana tjetër sipas SPAK, përgjatë këtyre viteve hetim, mjeku Prifti ka tentuar që të pajiset me fatura fiktive nga biznese të ndryshme në fushën e mjekësisë, në mënyrë që të justifikonte paratë cash që iu gjetën në banesë.
Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434 319 (katërqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e nëntëmbëdhjetë) Euro, 67 914 368 (gjashtëdhjetë e shtatë milion e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) Lekë, si dhe 7 600 USD.
Ndaj tij rëndojnë akuzat ‘Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, në 7 (shtatë) raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Arrestimi i Edvin Priftit
Edvin Prifti u arrestua, më pas u lirua, por nuk është kthyer ende në detyrë. Madje së fundmi i është hapur edhe një dosje e re. Prifti është kallëzuar nga një person që pretendon se i ka lënë nënën të vdesë dhe nuk i ka dhënë mjekimin e nevojshëm pasi nuk ka marrë paratë që ka kërkuar. Emri i Priftit doli dhe në aksionin për goditjen e grupit të trafikut të medikamenteve, si dhe akuzohet për përfshirje në tenderin e QSUT. Mes mjekëve, emrat deri më tani u kanë dalë Edvin Priftit, Aurel Vulës, Ilir Broqajt dhe Vladimir Peto. Biznesmenët nën hetim janë Aleksandër Gjoka dhe Ndue Pulaj./ZËRI