
TIRANË- Pasi studentët e shkollës së Magjistraturës denoncuan një incident me provimin e pranimit dhe kërkuan anullimin e tij një reagim ka ardhur edhe nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Ai thotë se rivlerësimi i tezave u bë pasi gabimisht scantron kishte llogaritur pikët maksimale 96 dhe jo 100 dhe kjo kishte sjellë ankimin e kandidatëve që nuk ishin shpallur fitues.
“Ne kemi patur shumë ankesa dhe do vlerësohen një më një. Pas shqyrtimit të ankesave do përpilohet rezultati, ndërkohë që nesër do të zhvillohet provimi profesional tek kompleksi olimpik te pishinat në orën tetë. Dje scantron shpalli 79 fitues, ku shuma e pikëve është një qind pikë dhe scantroni gabimisht ka llogaritur listat duke u bazuar në 96 pikë. Nuk shoh arsye pse provimi të përsëritet, nuk bëmë gjë tjetër veçse korrigjuam gabimin e parë që kishte lënë jashtë garës të tjerët. Ankesat po i shqyrtojmë”, tha Rakipi për TCH.
Studentët pretendojnë se fillimisht janë shpallur 79 kandidatë fitues. Por më pas, stafi i shkollës ka nxjerrë pretendimet se tezat janë rikorrigjuar sepse pajisja e "scantronit" nuk ka punuar. Pas rikorigjimit fituesit ishin 121 në krahasim me 79 që duhet të ishin në fazën e parë. Kjo lëvizje ka ngritur dyshime se procesi është manipuluar qëllimisht për të futur mes fituesve dhe studentë të tjerë, sipas tyre, edhe emra që nuk e meritojnë të jenë pjesë e listës.
/ZËRI