
TIRANË- Hetimet dhe arrestimet në Itali duket se nuk i kanë bërë aspak përshtypje drejtuesve të Kolegjit Universitar “Wisdom”. Përveçse pak ditë më parë kishin bërë një shpallje për punësim të stafit akademik, kanë bërë një tjetër reagim. Përmes një deklaratë për shtyp, Kolegji Universitar “Wisdom” tashmë sfidon edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, duke theksuar se nuk do të mbyllen. Përkundrazi! Theksojnë në deklaratën e tyre se nuk kanë shitur asnjë diplomë dhe se do të vazhdojnë pa asnjë pengesë edhe këtë vit akademik.
**Deklaratë për Shtyp**
Kolegji Universitar Wisdom informon opinionin publik dhe mediatik se, që nga viti 2008, kur ka nisur veprimtarinë në fushën e arsimit, nuk ka shitur dhe nuk do të shesë kurrë diploma, as nuk ka prodhuar dokumente të falsifikuara. Kolegji Universitar Wisdom vijon normalisht veprimtarinë akademike dhe i siguron të gjithë studentët e regjistruar në KU "Wisdom" se do ta ndjekin pa asnjë pengesë vitin akademik. Stafi akademik është plotësisht i përgatitur për një fillim cilësor të këtij viti akademik. Kolegji mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit dhe arsimit cilësor.
Ndërkohë krejt të kundërtën ka deklaruar mbrëmë ministrja Ogerta Manastirliu. Sipas saj, Kolegji Universitar "Wisdom" e kishte të ndaluar që të pranonte studentë të rinj për vitin akademik 2024-2025. Paraditen e djeshme, në një reagim zyrtar, MAS tha se kishin nisur një hetim me një grup pune për Kolegjin, ndërkohë theksuan se i kishin ndërprerë pranimin e studentëve të rinj. Të njëjtën deklaratë e "përforcoi" edhe ministrja Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në emisionin "Opinion". Ministrja theksoi se ka pasur një grup pune kontrolli të këtij insititucioni arsimor që nga viti 2019 dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh.
"Në gjithë këtë infrastrukturën e re të arsimit të lartë ne kemi tashmë institucione që akreditojnë programet e studimit, kolegjet, universitetet, që janë të pavarura nga Ministria, por vetë Ministria vlerëson periodikisht aktivitetin e tyre. Në Dhjetor 2023, në vijim të verifikimit të ligjshmërisë ka filluar për 12 institucione publike dhe private pikërisht inspektimi i ligjshmërisë. Për këtë institucion masat janë marrë. Grupi i punës që ka qenë në kontroll përgjatë gjithë këtyre muajve ka arritur në përfundimin se rekomandimi është mbylja e këtij institucioni. Kemi marrë masat që në Korrik! Kemi raportin e grupit të punës. Janë një seri shkeljesh përgjatë viteve që është ushtruar ky kontroll. Kemi konstatuar disa elementë të programit të studimit të pamiratuara nga Ministria, ka konstatuar regjistra themeltarë sepse tani po bëjmë një reformë totale për sistemin online të numrit të amzave, këto regjistra kanë pasur problematika që janë zbardhur. Është punuar për një periudhë nga viti 2019 deri në 2022-in për këtë institucion dhe të tjera. Jo vetëm që janë kontastuar dhe jemi në procedurat e mbylljes, ne në Korrik nuk u kemi akorduar apo çertifikuar kuota për hapjen e tij,"-tha Manastirliu.
Por mesa duket, Kolegji ka tjetër plan që vetëm organet ligjzbatuese mund t'ja frenojnë./ZËRI