
AUSTRALI- Jay Je Yoon Jung dukej si djali i përsosur. Gjatë ditës, ai punonte për biznesin e prindërve të tij, pjesën e mbetur të kohës, e kalonte duke organizuar komunikimin në platformën "Ghost". 'Fantazma' u krijua nga Jung 9 vite më parë dhe është përdorur ekskluzivisht nga personazhe të botës së krimit (nuk dihet a ka shqiptarë të përfshirë apo jo) për të organizuar importimin dhe trafikun e drogës. Jo vetëm kaq! Aty janë planifikuar kërcënime përvrasje, shitje armësh zjarri dhe shumë e shumë vepra të tjera penale.
Jung ishte vetëm 23 vjeç kur krijoi për herë të parë platformën, të cilën e ktheu në një strehë të sigurtë për kriminelët në Australi dhe jo vetëm. Ai fillimisht u shiste telefonin për 2345 dollarë, me 6 muaj abonim falas në platformë. Më pas, duhet që të paguaje për çdo muaj që e përdorje. Por jo gjithmonë!

E vendoste Jung se kush mund të futej për të përdorur platformën e tij!
Edhe pse kishte fituar shumë para, ai jetonte një jetë të qetë, me profil të ulët. Banonte akoma me prindërit e tij në jugperëndim të Sidneit dhe nuk kishte partnere. Kohën e lirë e kalonte me ato pak miq që kishtë në karaoke. Policia australiane theksoi se ishin në dijeni të platformës Ghost që 7 vjet më parë, por autoritetet franceze i lajmëruan vetëm së fundmi se aplikacioni mund të drejtohej nga një australian në vitin 2021. Kështu, ranë në gjurmët e 33-vjeçarit.
Çfarë është Ghost?

Tregu për aplikacionet e bisedave të koduara po lulëzon, me WhatsApp-in që është shërbimi më i njohur dhe më popullor. Por disa veçori të shërbimit Ghost e bënë atë shumë më tërheqës për kriminelët. Ata që donin aplikacionin, nuk blinin "app-in", por një telefon tërësisht të personalizuar. Mund ta përdonin pa dhënë asnjë informacion personal, apo numër telefoni ekzistues, pra mund të ishte 100% anonim.
Shërbimi përdorte tre standarde të veçanta të kriptimit dhe përdoruesit mund të "shkatërronin" nga distanca të gjitha mesazhet nëse mund të ndodhte që të binte në duart e autoriteteve. Kështu, të sigurtë se nuk do kapeshin, mijëra përdorues në mbarë botën i çonin njëri-tjetrit më shumë se 1000 mesazhe çdo ditë.
Disa aplikacione të tjera të ngjashme kanë zbërthyer grupe të strukturuara kriminale vitet e fundit. EncroChat ishte një shërbim me reputacion i përdorur pothuajse ekskluzivisht nga kriminelët, që ngjashmërisht me Ghost, kishte telefon të posaçëm. Kur u "kap" si mjet komunikimi, "dritat" u kthyen nga "Sky ECC" që gjithashtu u çmontua. Tre vite më parë një tjetër shërbim, "ANOM" iu hoq nga duart keqbërësve dhe qindra persona u arrestuan.
Vetëm se "Ghost" nuk ishte aq popullor, por duket se shërbimin që reklamonte, e ofronte më së miri!
Sot, Europol dhe Eurojust lajmëruan se në një aksion të përbashkët me autoritete të tjera ligjzbatuese në botë kanë çmontuar një platformë komunikimi që përdorej nga grupet kriminale. Gjatë operacionit të Europol dhe Eurojust u vunë në pranga 51 persona./ZËRI