TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me hetimet për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku në qendër të akuzave janë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri. Këta dy të fundit akuzohen për pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe gjatë periudhës kur ai rezulton si fitues i disa tenderave në AKSHI, me qëllim që të tërhiqej nga çdo procedurë tenderimi.
Por, si ndodhi rrëmbimi? Më datë 12 gusht të këtij vitit, biznesmeni Gerond Mece u rrëmbye nga disa persona që ishin të veshur me uniformë policie dhe agjentë të BKH, të cilët më pas e kanë dhunuar dhe kanosur me armë. Siç bëhet me dije në dosjen e siguruar nga ZËRI, pengamrrja ka zgjatur për disa orë dhe është bërë kryesisht në zonënë e Elbasanit, deri në arritjen e qëllimit: Tërheqja e tij nga të gjitha ankimimet për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n.
Këta shtetas e kanë detyruar Meçen që t'i dorëzojë aparatin telefonik, të cilët e kanë përdorur për të komunikuar me administratorin e shoqërisë, shtetasin Shkëlqim Kërluku dhe i kanë kërkuar këtij të fundit, që të veprojë sa më shpejt për të tërhequr të gjitha ankimimet.
"Në datën 12.08.2025, sipas të dhënave të përftuara: deklarimit të këtij shtetasi, që përputhet me pamjet filmike të marra nga kamera të ndryshme të pallatit ku ai jeton, të dhënat e përftuara nga telefoni i shtetasit z. Kërluku, administrator i kësaj shoqërie, të dhënat në sistemin e KPP-së lidhur me njoftimet për tërheqjet nga procedurat e prokurimit, vendimet e KPP-së, rezulton se persona të paidentifikuar fillimisht duke e shtyrë në lajthim (duke qenë se personat e automjetit Land Rover Defender me targa AC121JJ, kanë qenë të veshur me uniforma/jelekë që kanë pasur shënimet "POLICIA” dhe "BKH" dhe makina ka pasur fenelina policie), dhe më pas me anë të dhunës dhe kanosjes me armë, i kanë hequr në mënyrë të paligjshme lirinë shtetasit Gerond Meçe, veprim që ka zgjatur disa orë dhe është bërë kryesisht në zonën e Elbasanit. Këta shtetas i kanë kërkuar z. Meçe që të tërhiqej nga të gjitha ankimimet që ai, pra shoqëria e tij, vetëm apo si bashkim operatorësh, kishte bërë pranë KPP-së, për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n. Këta shtetas e kanë detyruar z. Meçe që t'i dorëzojë aparatin telefonik, të cilët e kanë përdorur për të komunikuar me administratorin e shoqërisë, shtetasin Shkëlqim Kërluku. Në këto komunikime këta shtetas janë paraqitur sikur të ishte duke komunikuar vetë shtetasi Gerond Meçe, që i kërkon administratorit të veprojë shpejt për të hequr dorë (tërhequr) nga ankimimet e kryera nga ky subjekt në AKSHI-n dhe KPP-në. Administratori ka kryer veprime në platformën "EAlbania", duke u tërhequr nga të gjitha ankimimet, duke u tërhequr madje edhe në ato procedura prokurimi ku ka marrë pjesë si BOE, pra bashkim operatorësh. Vetëm pasi janë konfirmuar tërheqjet, është lënë i lirë z. Meçe.", thuhet në dosje.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermal Beqirin, dyshohet se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.
"Në një nga pamjet filmike të administruara, konstatohet biseda mes shtetasve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ku diskutohet për dy tendera për procedurë, si dhe përmendet kompania ABS. Nga kjo bisedë përftohet e dhëna se këta shtetas janë të shqetësuar për praninë e kompanisë ABS me ortak të vetëm z. Meçe", thuhet ndër të tjera në dosje.
GJKKO ka lënë në fuqi masën 'arrest shtëpie' për drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karcanaj dhe zv/drejtoreshën Hava Delibashi. Për drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, GJKKO ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra”, ndërsa ka hequr masën “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Ndalimi për të dalë jashtë shtetit mbetet në fuqi për Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën.
Ndërkohë në kërkim me masën arrest me burg janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI
