
EKUADOR- Prokuroria e Ekuadorit zyrtarizoi akuzën për trafikantin shqiptar të drogës Dritan Gjika, i identifikuar si bosi i mafies shqiptare në territorin ekuadorian. Gjithashtu, ka ndryshuar akuza edhe kundër trembëdhjetë personave të tjerë që ishin pjesë e organizatës në vend, mes tyre edhe një argjentinas.
Sipas mediave të huaja, organizata kriminale është përgjegjëse për të paktën njëmbëdhjetë dërgesa kokaine nga porti i Guayaquil, më i madhi në Ekuador, drejt vendeve evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja. Droga kamuflohej me eksporte frutash nga Ekuadori, kryesisht me banane.
"Dritan Gjika dhe Mario S. janë përgjegjës për koordinimin e veprimeve logjistike në territorin ekuadorian dhe spanjoll, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre,”-bën me dije Prokuroria e Ekuadorit.
"Rasti Pampa" është produkt i një bashkëpunimi midis autoriteteve ekuadoriane dhe spanjolle që çoi në pranga 30 persona (18 në Ekuador dhe 12 në Spanjë) me origjinë ekuadoriane, spanjolle, argjentinase, kolumbiane, shqiptare dhe kineze. Por mes të arrestuarve nuk ishte Dritan Gjika.
Ndërkohë Dritan Gjika, në Ekuador rezulton në kërkim, pasi Policia zbuloi pjesëmarrjen e tij të dyshuar në trafikun e kokainës nga Kolumbia në Ekuador, me destinacion përfundimtar Evropën. Gjithsesi kjo nuk e pengoi Gjikën që së fundmi të shiste një nga kompanitë e tij, pavarësisht ndalimit gjyqësor./ZËRI