
TIRANË- Ilir Krojë, 52 vjeç, i dënuar me 8 vite burg për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike, ka qëndruar i fshehur për tre vite rresht në një dhomë nëntokësore, skenar ky që ngjan me atë të një filmi. Ai kishte përshtatur një dhomë të nëndheshme në banesën e tij në Nikël të Fushë Krujës.
Gjatë kontrollit në banesën e Krojës, shërbimet e Policisë, kanë konstatuar poshtë mobiljeve të kuzhinës, një derë me shkallë zbritëse në një dhomë të nëndheshme, të cilën 52-vjeçari e përdorte për tu fshehur nga policia. Ai u vu në pranga dhe do të përballet me drejtësinë. Gjykata e ka dënuar Ilir Krojën me 8 vjet burgim, pasi në vitin 2020 ka kultivuar 200 bimë narkotike në Njësinë Administrative Nikël.