
TIRANË- Është shtyrë seanca që ishte parashikuar sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për çështjen ‘Babale’. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë një kërkesë e avokatit mbrojtës së deputetit Ervin Salianji, i cili për shkaqe shëndetësore nuk mund të ishte i pranishëm në sallë.
Përmes një shkrese të dëpozituar në gjykatë, avokati i Salianjit, Ledio Braho, ka justifikuar mungesën me arsye shëndetësore, ndërsa në sallë mungon edhe vetë klienti i tij.
Avokati i Geron Xhafës, Ardian Visha u shpreh se kjo mungesë ka qenë e qëllimshme, për të bërë zvarritjen e procesit, ndërsa kërkoi që Salianjit t’i caktohet një mbrojtës nga shteti, për zhbllokimin e procesin.
"Për ne është e qëllimtë, kërkojmë të caktohet një avokat kryesisht që të mos ketë zvarritje të procesit”.
Seancën e kaluar, Jetmir Olldashi, bëri kërkesë në seancën e shkuar për përjashtimin e gjyqtares Eliba Bezat, por gjykata vendosi mospranimin e kërkesës.
Deputeti Ervin Salianji, ka kundërshtuar në Apel vendimin e shkallës së parë të djënë nga Gjykata e Tiranës, që e dënoi atë me 1 vit burg, për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie.
Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.
Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.
/ZËRI