Aktualitet

Shtohen vatrat e zjarrit nga jugu në veri/ Ndërhyet me helikopter, në Vlorë procedohen 2 persona

Përveç zjarrfikësve, në lëvizje për shuarjen e flakëve janë vënë edhe forcat e ushtrisë dhe emergjenca civile.

f.t
Shtohen vatrat e zjarrit nga jugu në veri/ Ndërhyet me helikopter,
zjarri ne Elbasan

Shqipëria po vazhdon të përballet me zjarre. Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në malet e Zavalinës në Elbasan. Zjarri raportohet se është i përmasave të mëdha, teksa vendosja e tij nën kontroll është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë malor. Përveç zjarrfikësve, në lëvizje për shuarjen e flakëve janë vënë edhe forcat e ushtrisë dhe emergjenca civile.

Dy vatra zjarri janë regjistruar në pishat e liqenit të Viroit, në periferi të Gjirokastrës. Re të mëdha tymi kanë mbuluar qytetin e Gjirokastrës, ndërsa zjarri po përhapet deri në malin e Gjerë. Për shkak të ndikimit të erës, në bimësinë e dendur dhe të thatë me barëra e shkurre, zjarri po përhapet me shpejtësi duke marrë përmasa të mëdha. Situata në pishat e Parkut të Viroit paraqitet e vështirë, ndaj është kërkuar ndihmë për të zgjeruar operacionin për shuarjeve e flakëve të zjarrit.

Shtohen vatrat e zjarrit nga jugu në veri/ Ndërhyet me helikopter,
zjarri në Gjirokastër
Shtohen vatrat e zjarrit nga jugu në veri/ Ndërhyet me helikopter,
zjarri në Gjirokastër


Flakët kanë përfshirë edhe një hapësirë me bimësi në veriperëndim të Shëngjinit, në drejtim të zonës së njohur si Rana e Hedhun. Mësohet se zjarri në malin e Shëngjinit është favorizuar edhe nga era e fortë, duke u përhapur në dy drejtime, mbi zonën e qytetit dhe nga ana e Ranës së Hedhun. Për shuarjen e flakëve ka nisur ndërhyrja nga ajri.

Ndërkohë në Vlorë, dy persona dogjën me zjarr sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe ullinj në fshatrat Delisuf dhe Gjorm. Ata u identifikuan nga policia si A.L. dhe Sh.L., ndaj të cilëve ka nisur hetimi në gjendje të lirë. A.L., dyshohet se në Delisuf ka djegur me zjarr një sipërfaqe toke që e kishte marrë me qira, duke rrezikuar edhe parcelat në afërsi, në pronësi të personave të tjerë. Ndërsa Sh.L., dyshohet se gjatë ditës së djeshme ndezi zjarr për të pastruar oborrin e banesës së tij në Gjorm dhe flakët dogjën një sipërfaqe me bimësi dhe ullinj në pronësi të një personi tjetër.

Shtohen vatrat e zjarrit nga jugu në veri/ Ndërhyet me helikopter,
sipërfaqja e djegur në Vlorë

Njoftimi i Policisë:

Dogjën me zjarr sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në fshatrat Delisuf dhe Gjorm, identifikohen dhe procedohen penalisht 2 shtetas. Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe Stacioni i Policisë Selenicë, u bë zbardhja e dy rasteve të zjarrvënieve në fshatrat Delisuf dhe Gjorm. Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. L. dhe Sh. L. Shtetasi A. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Delisuf, ka djegur me zjarr një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme, që e kishte marrë me qira, duke rrezikuar edhe parcelat në afërsi, në pronësi të shtetasve të tjerë.

Shtetasi Sh. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Gjorm, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e oborrit të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast zjarrvënieje apo të paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore./ZËRI

Poll

MOS HUMB