
NAPOLI- Ai nuk ishte plagosur gjatë një grabitjeje, ashtu siç pretendoi në denoncimin e tij, por në fakt u qëllua me armë zjarri nga partneri i tij i biznesit. Ky është rasti i një shqiptari, ende i paidentifikuar me emër, i cili u qëllua nga një kriminel i lidhur me anëtarët e shquar të klanit Mallardo. Përplasja mes tyre ka ndodhur për borxhet e drogës.
Sipas mediave italiane, shqiptari u plagos mjaft rëndë, nga tre të shtëna me armë zjarri, por mbasi doli nga rreziku për jetën u shpreh se nuk kishin tentuar që ta vrisnin, por ishte plagosur gjatë një tentative për të grabitur. Nga hetimet e Policisë, rezultoi se shqiptari ishte plagosur në shtëpinë e personit që u arrestua. Edhe pse ishte i plagosur, ai arriti që të arratisej dhe të shpëtonte.
Mjekët e shpëtuan pas ndërhyrjes kirurgjikale, e më vonë u zbulua se shqiptari ishte i përfshirë në trafik kokaine. Gjyqtari hetues i Napolit pranoi kërkesën e DDA-së së Napolit, nënprokuror Lucio Giugliano, prokuror shtesë Sergio Amato, dhe urdhëroi burgosjen e shqiptarit dhe autorit të krimit. Akuzat për ta janë të ndryshme, nga vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe deri te trafik droge./ZËRI