Aktualitet

Shqipëria u shpall “luftë” atyre që fshehin paratë në vende të tjera, në sitë qindra persona

Për të vërtetuar se paratë e harxhuara nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do të krahasohet vlera e shpenzuar me të ardhurat që individi ka pasur atë vit.

F.I
Shqipëria u shpall “luftë” atyre që fshehin
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Shqipëria mund të jetë duke u përdorur nga të huaj të pasur si “parajsë fiskale”. Ekspertë vendas dhe ministria e Financave dyshojnë se edhe biznesmenë vendas po fshehin pasuritë e tyre në shtete “offshore” për mos paguar detyrimet tatimore. 

“Synimi deri në vitin 2027 është krijimi i sistemeve, regjistrave dhe kapaciteteve për verifikimin e të ardhurave dhe pasurisë së pashpjeguar, duke synuar që ky proces të shtrihet në rreth 500 tatimpagues të regjistruar dhe rreth 200 individë”, sqaron Ministria e Financave.

Për të vërtetuar se paratë e harxhuara nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do të krahasohet vlera e shpenzuar me të ardhurat që individi ka pasur atë vit. Qeveria pranon në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027 se fenomeni i “evazionit tatimor” mund të jetë prezent në vend, ndaj duhet luftuar.

"33 apo 200 persona janë një kampion shumë i vogël krahasuar me popullsinë. Duhet shtrirë më tej për të skanuar gjithë të pasurit që i kanë paratë nga burime të pajustifikuara”, tha për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Edision Zaçaj.

Nga ana tjetër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, “tatimet” do të “fusin në lupë” të gjithë zotëruesit e makinave luksoze në vend. Për të vërtetuar se paratë me të cilat është blerë automjeti nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do të krahasohet vlera e makinës me të ardhurat personale që zotëruesi i saj ka pasur gjatë këtij viti.

“Plotësimi i regjistrit të pasurive të tatimpaguesve do të bëhet fillimisht për 10%për qind të tatimpaguesve brenda muajit dhjetor 2026. Janë 128.000 taksapagues aktivë në vitin 2023 dhe pritet të ketë një regjistër për 10 për qind, ose afërsisht për 12.800 taksapagues brenda vitit 2026”, sqaron më tej Ministria e Financave.

“Shqipëria filloi shkëmbimet e para automatike në dhjetor 2020, me ndihmë teknike nga autoritetet tatimore italiane dhe do të fillojë të marrë informacione për individë shqiptarë që kanë llogari financiare në juridiksionet e huaja, përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të “strehave” tradicionale “offshore”. Përvoja e vendeve që e kanë adaptuar më herët këtë masë, është që informacioni i shkëmbyer identifikon evazion të konsiderueshëm tatimor dhe Shqipëria nuk ka gjasa të jetë një përjashtim.”

Dyshimet janë se miliona euro që iu përkasin individëve të pasur shqiptarë mund të jenë të fshehura në Ishujt e virgjër Britanikë, Singapor, Bermuda, Ishujt Kajman, Malta, Luksemburgu, Panama apo Holandë.

“Në një të ardhme, Shqipëria do të fillojë përgatitjet për zbatimin e Rregullave Globale Anti-Erosionit, të cilat ka të ngjarë të kenë një ndikim të rëndësishëm në sistemin e saj tatimor të brendshëm. Gjithashtu, do të kryhen analiza periodike mbi rastet e evazionit tatimor në lidhje me juridiksionet offshore.

Poll

MOS HUMB