Aktualitet

Shqipëria në "flakë"! 11 vatra aktive: Himara në 'qetësi', Dajti, Shkodra dhe Fieri në 'luftë' me zjarret

Ministria e Mbrojtjes njofton se në Malin e Dajtit janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter për shuarjen e zjarrit.

F.I
Shqipëria në "flakë"! 11 vatra aktive: Himara në
foto ilustruese

TIRANË-Vendi edhe sot vijon të jetë nën 'pushtetin' e zjarreve, ku në 24 orë janë regjistruar 32 vatra, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur. Vatrat problematike janë ato në Dajt, Shkodër e Fier, ku flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi. Ministria e Mbrojtjes njofton se në Malin e Dajtit janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter për shuarjen e zjarrit.

Zjarri në Fieri vijon prej tre ditësh, ku në terren ndodhen 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 Air Tractor. Edhe në Bardhaj të Shkodrës, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive.

NJOFTIMI:

Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur.

Për përballimin e situatës është realizuar një angazhim i gjerë operacional në nivel kombëtar, me 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.

Angazhimi kryesor është përqendruar në vatrat më problematike.

Në Malin e Dajtit, krahas strukturave bashkiake, sot janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.

Në Bardhaj të Shkodrës, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat e emergjencave civile, si dhe mbështetje nga FA me 1 automjet zjarrfikës dhe 1 helikopter, ndërsa sot operacionit i shtohen 33 forca dhe 1 ambulancë.

Në Fier, janë përfshirë 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 Air Tractor. Sot vijon mbështetja me 33 forca.

Operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e zjarrit, pas një mobilizimi të gjerë me 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 forca policore dhe 180 efektivë të FA me 2 helikopterë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

Poll

MOS HUMB