Aktualitet

Shpërthimi në pikën e karburantit, arrestohet menaxheri që mbeti i lënduar

Përveç Kadiut, në spital përfundoi dhe shoferi i autobotit

E.K
Shpërthimi në pikën e karburantit, arrestohet menaxheri që
Pamje nga karburanti "Veliaj Petrol" ku ndodhi shperthimi

TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga shtetasin Myrto Kadiu, i cili mbeti i plagosur pas shpërthimit në një pikë karburanti në zonën e rrugës Bardhyl, pasditen e djeshme. Kadiu ishte menaxher i pikës së karburantit, ndërkohë që sipas policisë ai dyshohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasesë dhe djegëse.

Shpërthimi ndodhi në momentin pika e karburantit po furnizohej nga një autobot, ndërkohë që përmasat e ngjarjes mund të ishin tragjike, pasi ngjitur me këtë biznes ka pallate, ndërkohë që rruga është një prej më të frekuentuarave në kryeqytet. Përveç Kadiut, nga shpërthimi mbeti i dëmtuar dhe shoferi i autobotit Miklovan Çollaku.

Burime i thanë dje Zëri.ai se shpërthimi ka ndodhur në valvulën e sigurisë të dhomës së nëndheshme të gazit ngjitur me karburantin. 

Prokuroria dhe policia gjatë ditës së djeshme kryen ekspertizën në vendin e ngjarjes, rezultatet e të cilës nuk kanë dalë ende. Ky është rasti i dytë në harkun kohor të pak javëve që në Tiranë ndodhin incidente në pikat e karburanteve. I pari ishte ai pranë Urës së Shkozës ku pati rrjedhje gazi, që më pas çoi dhe në evakuimin e banorëve në zonën përrreth. Shqetësim mbetet afërsia e këtyre karburanteve me banesat, por në raste të tjera dhe me shkollat apo kopshtet/ Zëri.ai

Poll

MOS HUMB