
SHKODËR- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi gjatë natës në Shkodër, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në banesën e oficerit të policisë, Vilson Zhurri, i cili është polic krimesh në zonën e Pultit në Dukagjin. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale ndërsa nga kamerat e sigurisë janë dalluar dy persona që afrohen me motor dhe vendosin lëndën plasëse.
Në dëshminë e tij, Zhurri thotë se nuk ka konflikte personale me askënd, por dyshimet janë te detyra e tij. Zona e Pultit është një prej zonave me kultivimin më të madh të lëndëve narkotike, dhe Zhurri ka qenë pjesë e operacioneve për asgjesimin e tyre.
“Dyshoj se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës, nuk kam pasur konflikte me njeri”, është shprehur oficeri i krimeve.
Ndërkohë vendosja e tritolit ndaj oficerëve të policisë në Shkodër është kthyer në një shqetësim. Brenda një viti janë 7 raste të gjitha pa autor pa llogaritur tritolin edhe ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj që po ashtu ende nuk është zbardhur. /ZËRI