
SHKODËR- Një shpërthim me tritol ka tronditur mëngjesin e sotëm Shkodrën. Në banesën në pronësi të 62-vjeçares Frida Sala në lagjen "Tom Kola" është hedhur një sasi lënde plasëse që ka shpërthyer në portën e oborrit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40. Në momentin e shpërthimit, familja Sala 62-vjeçarja bashkë me djalin, bashkëshortin dhe fëmijët kanë qenë në banesë. Ndërsa burime për ZËRI bëjnë me dije se autori ishte i maskuar dhe është larguar menjëherë.
Në dëshminë e dhënë para bluve, Sala deklaroi se ishin zgjuar dhe po bëheshin gati për të ngrënë vaktin e syfyrit duke qenë se agjërojnë në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit. 62- vjeçarja e cila punon në doganën e Hanit të Hotit tek peshorja duke peshuar mallrat që hynë e dalin në atë doganë ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd. Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikohej autorin deri më tani për shkak të skafandrës që mbante në kokë.
“Rreth orës 03:40, në lagjen "Tom Kola", Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetases Frida Sala, 62 vjeçe, është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njofton policia.
Si pasojë e shpërthimit ka patur vetëm dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat vijojnë kontrollin në zonë./ZËRI