Aktualitet

Shkrumbohen gjatë natës 4 banesa në Shkodër, pronarja: Na i dogji fqinji, ai saldon gjithë natën

Zjarrfikësit, së bashku me Policinë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit

E.K
Shkrumbohen gjatë natës 4 banesa në Shkodër, pronarja: Na i
Foto ilustruese

SHKODËR- 4 banesa janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Shkodrës. Zjarri fillimisht ka nisur në një banesë dy katëshe, duke u përhapur më pas edhe në 3 shtëpi të tjera, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Si pasojë e flakëve të zjarrit janë shkaktuar dëme të shumta materiale.

Një prej pronareve të banesave të djegura, Luçije Kola tha për mediat se shkak i zjarri nuk ka ndodhur si pasojë e një shpërthimi bombule, por akuzon fqinjin e saj se ai saldon dhe ka shkaktuar zjarrin.

“Na është djegur çdo gjë. Brenda ka qenë burri. Por kjo nuk është prej bombule. Kemi një komshi këtu, që rri gjithë natën duke salduar...do ketë plasur ndonjë oksigjen dhe ka bërë masë korrenti. Andej e ka bërë ndonjë masë korrenti. Nuk ka bërë asnjë zhurmë. Nuk ka plasur bombola, absolutisht jo. Shiko sa i zgjuar është, ka nxjerrë bombulën jashtë, gjasme i ka plasur bombula. Ky (komshiu) na ka djegur shtëpinë. Dëme? Deri në themel. Veç çfarë kemi veshur ne si burrë dhe grua. Çdo gjë është djegur. S’kemi ku të shkojmë. Ishalla zoti vë dorë. Kur ka rënë zjarri ka qenë burri në banesë. Kjo nuk është prej bombolës. E kemi prej një skizofreni që punon gjithë natën duke salduar. Është djegur çdo gjë, me lavatriçe, divane, rroba, çdo gjë,”- u shpreh Kola.

NJOFTIMI I POLICISË:

Rreth orës 00:55, në lagjen “Skënderbeg”, ka rënë zjarr në një banesë dykatëshe në pronësi të shtetasit L .T., 51 vjeç. Si pasojë janë përfshirë nga zjarri edhe tri banesa të tjera ngjitur me të, në pronësi të shtetasve T. K., L. K. dhe një banesë e pabanuar. Zjarrfikësit, së bashku me Policinë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit./ZËRI

Poll

MOS HUMB