
Nëntë të dyshuar, mes tyre dhe shqiptarë duke përfshirë dhe ish-portierin e Fiorentinës dhe Napolit, Giuseppe Taglialatela, janë vënë këtë të hënë në prangat e Policisë italiane si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas autoriteteve, Florentine dhe Eluert Kamami, ishin dhe “koka” e grupit kriminal. Opreracioni i Policisë italiane u realizua dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në Shqipëri. Për të pastruar paratë që vinin nga aktiviteti kriminal, grupi, pjesë e të cilit ishin dhe shqiptarë investonte në restorante. Të paktën tetë të tillë janë vënë nën sekuestro me dyshimin e pastrimit të parave.
Në pranga janë vënë sipërmarrësi Alessandro Bigi, president i ekipit të futbollit Ischia, ish-portieri i Napolit dhe Fiorentinës, Pino Taglialatela, nga i cili Bigi bleu aksionet e klubit me para që besohet të jenë si rezultat i të ardhurave të paligjshme. Nën akuzë janë vënë edhe shqiptari Elouert Kamani dhe bashkëkombës të tjerë të tij si Albiona Ziaj, Redon Marku, Musa Kakuli, Samir Houjeiri, Eros Giona, Orkes Kamani, etj. Klubi i futbollit u ble zyrtarisht për 9 mijë euro, por në fakt u paguan 100 mijë euro të fshehura si donacione apo të justifikuara me fatura false.
Hetuesit besojnë se grupi ka arritur të blejë 31 restorante nga viti 2012 e deri më sot, shumica në qendër të Firences, dy hotele, biznese të makinave me qira dhe prodhimit të birrës për rreth 13 milionë e gjysmë euro. Në veçanti, financuesit trokitën në derën e Ischia Calcio dhe restorantet Il Cavallino në Piazza della Signoria, të konsideruara si një lloj baze ku mund të rrjedhin paratë e pista, Trattoria Giovanni, La Bistecca Osteria Fiorentina, Ponte Vecchio, Bistecchia Santa Croce, Trattoria de Pitti, Osteria Lungarno dhe Orcagna, shumica e të cilave u përkasin kompanive të menaxhuara nga Eluert Kamami.
Kamami dhe Bigi kishin krijuar një shoqatë kriminale në Firence duke ofruar vende për grumbullimin e shumave të devijuara gradualisht nga restorantet dhe B&B-të, duke bërë që paratë të dilnin nga bizneset në mënyrë të paligjshme, nuk janë lëshuar fatura përkatëse. Besohet se grupi ka shpenzuar rreth një milion e gjysmë euro cash. Paratë që më pas përdoreshin, të paktën pjesërisht, për të paguar punonjësit e ambienteve në mënyrë të paligjshme dhe pjesa tjetër për t'u riinvestuar në blerjen e bizneseve të restoranteve në qendër të Firences. Por drejtuesit e organizatës, Kamami dhe Bigi sipas hetuesve, blenë edhe mallra personale luksoze si tre Ferrari, bizhuteri, shufra ari dhe diamante.
Ish-portieri duhet të përgjigjet edhe për lëshimin e faturave për operacione inekzistente në lidhje me sponsorizimet fiktive, të paktën pjesërisht: fatura rreth 80 mijë euro të lëshuara nga klubi i futbollit Ischia për një klub të Napolit./ZËRI