Aktualitet

Shkaktoi aksidentin e frikshëm te Liqeni, Nina: Kisha pirë tullumbace me azot

Përveç aksidentit te Liqeni, Nina, që njihet edhe si kushëriri i Ervis Martinajt, kishte qenë i shpallur në kërkim për akuzën e dhunës në familje

E.K
Shkaktoi aksidentin e frikshëm te Liqeni, Nina: Kisha pirë tullumbace
Emiljano Nina pas arrestimit

TIRANË- Zëri.ai ka siguruar pamjet pas arrestimit të Emiljano Ninës, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë në datën 22 Gusht në Tiranë, ku mjeti BMV që ai drejtonte çau trafikndarësen te Liqeni Artifical dhe përfundoi në korsinë e dedikuar për vrapuesit. Përveç këtij aksidenti, Nina ka qenë i shpallur në kërkim dhe për dhunë në familje, bën me dije policia e Tiranës. Bashkë me të në makinë ishte dhe Eldi Allushi, shoku i tij, i cili fillimisht tentoi të merrte përsipër fajin për aksidentin.

Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se në dëshminë e tij paraprake, dhënë pas arrestimit, Nina është shprehur se në ditën kur ka ndodhur aksidenti ka konsumuar tullumbave me azot, gjë që sipas tij ka bërë që të humbte kontrollin e mjetit. Sa i takon shpejtësisë me të cilën ishte duke udhëtuar kur u përfshi në aksident, Nina ka deklaruar se ishte duke ecur me 180km/h.

“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar "Escape", për kapjen e një shtetasi në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga një 28-vjeçar, i cili në muajin gusht të këtij viti, përplasi automjetin që drejtonte me shpejtësi së lartë, me bordurën anësore te Liqeni Artificial, dhe më pas u largua.

28-vjeçari, i shpallur në kërkim edhe për dhunë në familje, pasi është dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në të dhënat për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Për këtë rast është finalizuar operacioni policor i koduar "Escape", si rezultat i të cilit, mbrëmjen e djeshme, në rrugën "5 Maji", është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi: Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, në muajin gusht të këtij viti, duke drejtuar një automjet tip "BMW", për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore te Liqeni Artificial. Pas aksidentit, ky shtetas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu, ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. 

Si ndodhi aksidenti

Aksidenti i rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit. Një makinë tip ''BMË'' X6 që drejtohej nga Emiljano Nina, ecte me shpejtësi "skëterrë" në Rrugën e Kosovarëve, për shkak të shpejtësisë makina ngjitet në digën e Liqenit Artificial dhe përplaset në fund me murin anësor.

Fatmirësisht në momentin e aksidentit nuk kishte qytetarë që bënin ecje në zonë pasi përplasja mund të kishte rezultuar fatale. Për aksidentin fillimisht u arrestua Eldi Allushi, i cili mori përsipër ngjarjen, por hetimet zbuluan se në timon ndodhej Emiljano Nina.

/Zëri.ai 

 

Poll

MOS HUMB