
TIRANË-Teksa çifti mbretëror pas publikimit të videos së përplasjes fizike të një dite më parë mes Princit Leka dhe bashkëshortes së tij në proces divorci, po përballen sot në Gjykatën e Tiranës, Policia ka kërkuar pamjet e sigurisë së Pallatit Mbretëror.
Një inspektor i komisariatit nr.1 në Tiranë ka dorëzuar një shkresë zyrtare pranë Pallatit Mbretëror, ku njoftonte se grupi hetimor kërkon të administrojë pamjet e kamerave të sigurisë. Grupi hetimor kërkon pamjet për të hedhur më tepër dritë për konfliktin fizik mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë pasditen e 5 marsit.
Ndërkohë një ditë më parë Oborri Mbretëror hodhi akuza ndaj Policisë, ku pretendon se pamjet e dhunës në Pallatin Mbretëror janë shpërndarë nga autoritetet. Nga ana tjetër Policia me një njoftim zyrtar mohoi akuzat dhe deklaroi se po punohet për të zbardhur se kush i ka publikuar pamjet e dhunës, të filmuara nga vetë Princ Leka. Prokuroria ndërkohë ka nisur hetimet për dhunë në familje.
Princ Leka dhe Elia Zaharia pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri në 5 mars 2024. Leka ka shkuar në komisariat ku ka bërë denoncimin dhe ka kërkuar urdhër mbrojtje. Në Komisariat ka qenë edhe babai i Elia Zaharias, Gjergj Zaharia i cili ka denoncuar po ashtu Princin për dhunë. Dyshes i është bërë akt ekspertimi mjekoligjor, ku janë konfirmuar shenja dhune në trupin e Eilas. Si Princi, ashtu dhe Elia, i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Ndërkohë është publikuar në rrjet sherri mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë që ka degraduar në dhunë fizike. Princ Leka dhe ish-partnerja e tij aktorja Elia Zaharia, i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare dhe rreth 1 dekade historie dashurie, nga e cila erdhi në jetë Princesha Geraldina II./ZËRI