
TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Hektor Sinanaj. Në seancën e sotme të zhvilluar nga KPK, trupa gjykuese doli në përfundimin se gjyqtari Hektor Sinanaj nuk mund të kalonte verifikimin e tre shtyllave të Vettingut, pasi nuk kishte arritur të vërtetonte të ardhurat nga emigracioni dhe nga profesioni si avokat. Po ashtu, gjatë shqyrtimit të figurës së tij, trupa e KPK-së, kishte gjetje se në rreth 180 çështje që ai kishte shqyrtuar, palat ishin të mbrojtur nga avokate që kishin marrë me qera pronat e tij. Por edhe pse në konflikt interesi, Sinanaj nuk kishte marrë masa.
Po ashtu, iu përmenden edhe disa denoncime që janë bërë në media lidhur me figurën e tij. Mbrojtjen, Sinanaj e bëri vetë.
“Dua t’ju bind se dhe në Evropë nuk e gjeni një gjyqtar si unë,”-tha ai, sipas BIRN.
Ndërsa sa i përket çështjes së pronave, ai tha se mund të kishte bërë dhe divorc formal me të shoqen që pasuria t'i kalonte asaj, por pretendoi se kjo nuk ishte mënyra sesi donte që t'i edukonte fëmijët e tij. Sinanaj solli në vëmendje se kishte dhënë dënime me burgime të përjetshme kur kolegët e tij fshiheshin nga frika se mos vendosej eksploziv në Gjykatë, por nuk përmendi konkretisht se për cilat dosje e kishte fjalën.
Në përfundim, gjyqtari Hektor Sinanaj pohoi se megjithëse donte dhe dy vjet të dilte në pension, donte që edhe këtë periudhë t’ia kushtonte profesionit të tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Por sot, KPK vendosi për të kundërtën. Mbetet për t'u parë nëse vendimin e sotëm, gjyqtari do ta dërgojë për ta apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit./ZËRI