
DURRËS- Bahrije Gjuni, gjyshja që rrëmbeu nipin e saj 3-vjeçar ësht vënë në pranga dhe akuzohet për rrëmbim personi. Pasi ka dorëzuar djalin në duart e të ëmës, Gjuni është shprehur se gjatë kohës që është zhdukur, ka qëndruar në fshatin Gjinaj të Krumës dhe në fshatin Buzmadh të Kukësit. Në fund, Gjuni shton se kur është vënë në dijeni të arrestimeve, ka vendosur të vetëdorëzohej pranë autoriteteve.
“E kemi vendosur së bashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzëmadh të Kukësit. Në Buzëmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme. Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje,”- ka deklaruar gjyshja.
Sot ka marrë fund makthi 1-javor, për 3-vjeçarin Amar, i cili u rrëmbye nga gjyshja e tij, të shtunën e kaluar. I vogli është bashkuar me të ëmën. Bahrije dhe Rexhep Gjuni akuzohen se kanë marrë në mënyrë të padrejtë nga nëna, nipin e tyre 3-vjeçar, të cilin e konsideronin si një amanet nga djali i tyre, që humbi jetën 1 vit më parë në një aksident rrugor. Nëna me lot në sy ka deklaruar se tashmë 3-vjeçari është në duar të sigurta.