
TIRANË- Ka përfunduar procesi për zgjedhjen e kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Bujar Spahiu është zgjedhur sërish në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me 82 vota, nga 92 vota në total. Pjesëmarrës në votim ishin 92 përfaqësues, 2 munguan.
Dy kandidatët e tjerë, ishin administratori i myftinisë së Durrësit, Eduard Shefki dhe Emir Vathaj, myfti i Beratit të cilët morën nga 3 vota, ndërsa 4 të tjera rezultuan të pavlefshme.
Rezultati:
Bujar Spahiu – 82 vota
Eduard Shefki – 3 vota
Emirjon Vathaj – 3 vota
E pavlefshme – 4 vota
Pas zgjedhjeve, Spahiu mbajti një fjalim të shkurtër duke u shprehur se ka qenë dhe do të jetë i hapur ndaj çdo kritike që adresohet ndaj tij. Por po ashtu, paralajmëroi se për të gjithë gjuhën e urrejtjes (cilësohet si gylenist nga një pjesë e besimtarëve), do të ndjekë rrugën ligjore.
“Unë do të ndjek rrugën, traditën, e moralit të lartë të profetit. Do të vijoj të dëgjoj me vëmendje kritikat e sinqerta që vijnë ndaj meje. Ky institucion përfaqëson të gjithë myslimanët në republikën e Shqipërisë. Allahu i ndihmon dhe ata që nëse u japin pushtet në tokë, kryejnë faljen dhe pengojnë atë që është e mbrapsht. Do të ndjek me besnikëri, siç kam bërë deri më sot. Zoti urdhëron që të jemi të drejtë dhe të sillemi mirë me të gjithë, pavarësisht racës dhe ngjyrësh. Allahu është vlerësuesi më i drejtë. Unë kam qenë i hapur ndaj çdo kritike dhe ju garantoj që do të jem në mes jush deri në atë masë sa gjithçka të zgjidhet. Institucioni që unë drejtoj do të ndjek të gjitha rrugët ligjore ndaj kujdo që nxit urrejtje mes motrave dhe vëllezërve myslimanë“, u shpreh Spahiu pas zgjedhjes në krye të Komunitetit Mysliman.
Sot njëkohësisht me zgjedhjet u zhvillua një tubim, ku një pjese e besimtarëve myslimanë akuzuan Komunitetin Mysliman, që është i kapur nga Shoqata Gyleniste./ZËRI