
LUSHNJE- Rinisin hetimet këtë të shtunë në kapanonin, i cili ishte në ndërtim e sipër në Lushnjë, ku u regjistrua shpërthimi fatal me dy viktima (Roland dhe Elidon Hoxha, babë e bir) dhe shtatë të plagosur, mes të cilëve dhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela. Këtë të shtunë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur hetuesit, nga grupi i posaçëm i ngritur për ngjarjen, inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe prokurorja e Fierit së bashku me inxhinierët e OSHEE. Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela dhe i plagosuri tjetër, Sokol Lumi, të cilët u transportuan drejt Traumës e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhën në gjendje të stabilizuar. Deputeti Çela një natë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas dëmtimeve të marra. Po ashtu jashtë rrezikut për jetën janë dhe të plagosurit, të cilët ndodhën në spitalin e Lushnjës. Njëri prej të cilëve ka lënë sot spitalin.