
TIRANË- Rrethi shoqëror të shënjon përjetë dhe madje jo vetëm ty, por edhe më të shtrenjtjët e tu, kryesisht në kohë trazirash…
Kjo është dhe historia e Sokol Sinomatit, i cili ndodhet pas hekurave, por ka humbur shumë, e ëma i ndërroi jetë, është divorcuar me bashkëshorten, i vranë të birin, ndërsa i vëllai vijon të mbetet një shënjestër. Dhe kjo, për të mos llogaritur numrin e miqve që kanë rënë viktima si pasojë e përplasjeve në Vlorë, që datojnë mjaft herët, që nga viti 1998.
Atëherë kur kallashët ishin një aksesor i përditshëm, Sokol Sinomati iu bashkua grupit të Gazment Brakës, të njohur gjerësisht si “Gaxhai” e që sot ndodhet pas hekurave, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Të qëndruarit në një rreth të tillë, e përfshiu Sinomatin në ngjarje të rënda kriminale, si vrasje, grabitje, plagosje e rrëmbime.
Në vitin 2000, në moshën 27-vjeçare, Sokol Sinomati tronditi qytetin e Vlorës, duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj Sokol Nuhos. Ai zbriti nga makina e tij tip “Benz”, dhe qëlloi në mes të ditës me breshëri automatiku ndaj Nuhos, që në atë kohë ishte 29-vjeç. Ky i fundit ishte i armatosur, dhe iu kundërpërgjigj për vetëmbrojtje duke qëlluar me pistoletë teksa qëndronte i ulur brenda në lokal.
Mirëpo, Sinomati dhe Nuhu shpëtuan, pasi asnjë plumb nuk i preku. I vrarë aksidentalisht mbeti Luigj Xhafa, 42-vjeç, i cili po lëvizte me biçikletën e tij pak metra më tutje. Ai gjeti vdekjen mënjëherë, duke u goditur nga një plumb në anën e djathtë të kraharorit. Në atë kohë dëshmitarët okularë, treguan se të plagosur mbetën edhe dy kalimtarë të tjerë, një burrë dhe një grua. Ndërsa mjekët e spitalit të Vlorës, deklaronin se askush nuk ishte paraqitur për të kërkuar ndihmë.
Sokol Sinomati, i njohur dhe me nofkën “Buzderri” ishte larguar në drejtim të Radhimës, ku dhe u strehua në një nga vilat e plazhit. Ai u rrethua nga forca të shumta policie dhe për plot 3 orë nuk pranoi të dorëzohej, madje kërcënonte se do të hapte zjarr, gjë që nuk e bëri. Më pas u dorëzua. Sherret me Nuhon ishin të vjetra, por pavarësisht se nuk e vendosi ‘nderin’ në vend, përfundoi në burg.
Por u lirua shpejt, për t’ju kthyer telasheve.
Më 26 qershor të vitit 2002, Armando Sulejmani, i njohur si Çipuri dhe Sokol Sinomati i bënë pritë Elton Tatos dhe Robert Borakut teksa ata dilnin nga stadiumi i qytetit, ku kishin parë një ndeshje futbolli. Palët kishin konflikte të mëparshme. Tato dhe Boraku kanë qenë duke kaluar para lokalit me emrin “Zyrihu” me drejtim për nga qendra e qytetit dhe kanë ndaluar përbri trotuarit ku qëndronte në këmbë Armando Sulejmani. Pasi kanë ndaluar automjetin Sulejmani ka nisur të bisedojë me Robert Borakun, i cili ka hapur derën e makinës. Armando ju ka kërkuar që të shkonin së bashku deri të makina e tij, e parkuar 30 m larg vendit ku zhvillohej biseda, por ata nuk kanë pranuar.
Pas kësaj bisede, Tato i ka vendosur pistoletën në kokë Sulejmanit, ndërsa ky i fundit i ka kërkuar Sinomatit që t’i vrasë të dy. Sokoli ka dalë menjëherë nga makina dhe me armën tip automatik ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të Tatos e Borakut. Tato mbeti i vdekur, ndërsa Boraku u plagos. Për vrasjen në fjalë, ka pasur disa zvarritje nga sistemi i drejtësisë, ndërsa përfundimisht u dha një dënim me 20 vite burg për Sinomatin, dhe 2 vite për Çipurin, që u akuzua vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit.
Robert Boraku u vra në vitin 2003 në Greqi. Ai ka qenë gjatë viteve të fundit një person mjaft i kërkuar, pasi akuzohej për gati 20 vrasje të rënda dhe për incidentin me armë në fshatin Peshkëpi ne bashkepunim me Elton Taton gjatë fushatës elektorale të shtatorit të vitit 2000, ndaj nënkryetares së Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli.
Sinomati u vendos në burgun e Peqinit nga ku u arratis në vitin 2017. Ai mori leje për të dalë disa ditë nga burgu, dhe më pas në rrethana që nuk sqarohen as sot e kësaj dite u largua jashtë Shqipërie bashkë me të vëllanë Bernard Sinomati e të birin që ishte adoleshent në atë kohë, Gëzim Sinomati.
Ky ishte dhe momenti kur “buzëderri” jo vetëm që nuk u shpëtoi vetë telasheve, por sapo e kishte përfshirë dhe të birin në këtë valë të gjatë hakmarrjeje.
Pavarësisht që jetonte në shtetin belg, sinjalet në drejtim të familjes Sinomati nuk kishin munguar, duke dhënë mesazhin se gjaku nuk falet.
Në fund të vitit 2022, ai u ekstradua në Tiranë, për ngjarjen e regjistruar në vitin 2002 në Skelë, ku i vrarë mbeti Tato.
Në vitin 2022, një sasi tritoli shpëtheu në makinën në pronësi të vëllait të “buzëderrit”, Bernard Sinomatit. Mjeti ishte parkuar poshtë pallatit ku jetonte familja, në katin e tretë të të cilit u vra dhe një natë më parë Gëzim Sinomati. 22-vjeçari doli të tymoste një cigare në ballkon, sapo në të gjithë zonën u shkëput energjia elektrike dhe u qëllua me një plumb në kokë me snajper. Siç duket gjithçka ka qenë e planifikuar dhe qitësi ishte në pritje të këtij çasti perfekt.
Gëzim Sinomati kishte jetuar me të atin në Belgjikë, por në Shqipëri ishte vendosur në shtëpinë e të ëmës, pasi prindërit ishin divorcuar. Ai kishte ardhur në vendin tonë dy herë brenda 30 ditëve, herën e parë sepse i kishte vdekur gjyshja dhe herën e dytë për të pritur ndërrimin e viteve me të ëmën. Por, kishte vendosur të priste të atin, të cilit i përfundon dënimi për pak ditë dhe të largohej me të drejt Belgjikës. Atje ku dhe është shkolluar dhe përpjekur të qëndrojë larg historisë së të atit.
Por, kjo gjë ishte e pamundur për të. Ai u vra dhe sot nuk ndodhet askush në bankën e të akuzuarve për këtë ngjarje. Të shoqëruar ka pasur shumë.
Madje gjatë një aksioni të policisë në Vlorë, u vu në pranga Sino Llanaj.
Llanaj është një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, por ka qenë shumë herë pjesë e kronikës pasi është plagosur me armë zjarri dhe është denoncuar për shkak të problemeve që ka pasur me pallatet dhe apartamentet që ka nxjerrë në shitje. Gjithashtu, në vitin 2022, vëllait të tij, Dritan Llanaj, i dogjën makinën që ishte në parkim.
Llanaj është gjithashtu i afërm i Ferdinant Llanajt, armikut të përbetuar të Çipurit, mikut të Sokol Sinomatit. Llanajt njihen si autorët e masakrës së Çoles, një prej të cilëve, Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg.
Megjithatë, është ende e paqartë nëse biznesmeni Sino Llanaj po hetohet për lidhje me vrasjen e Gëzim Sinomatit, apo arrestimi i tij është bërë vetëm për kapjen me armë zjarri në mjetin e tij.
Policia ka ofruar 30 mijë euro shpërblim për çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve, por në mungesë të pamjeve filmike për shkak se kamerat e sigurisë dolën jashtë funksionit kur u shkëput energjia elektrike, këtë ngjarje duket se do ta mbulojë pluhuri. Një pluhur që mund t’ia heqë vetëm vetë ‘buzëderri’, tashmë ai, me daljen nga burgu, nuk ka askënd për të humbur…